Fadil Sopa ka reaguar publikisht pas komenteve dhe interpretimeve që u bënë rreth iftarit të organizuar në familjen e tij, ku e ftuar ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një reagim të tij, Sopa ka sqaruar se familja e tij tash e më shumë se dhjetë vite e ka traditë që gjatë muajit të shenjtë të Ramazani të organizojë iftar ku ndër të ftuarit është edhe presidentja Osmani.
Sipas tij, edhe mbrëmë Osmani ishte e pranishme në iftar, e shoqëruar nga familja e saj dhe nga anëtarë të kabinetit presidencial.
“Ka më shumë se 10 vite që familja Sopa, çdo vit gjatë Ramazanit, e fton për iftar Presidenten Vjosa Osmani. Edhe mbrëmë ajo ishte e ftuar në familjen time, e shoqëruar nga familja e saj dhe kabineti i saj”, ka shkruar Sopa në reagimin e tij.
Ai theksoi se kjo është një traditë e mikpritjes së familjes së tij që është ruajtur ndër vite dhe nuk ka lidhje me organizime apo aktivitete politike.
Sopa ka bërë të ditur se gjatë iftarit kanë ardhur edhe qytetarë të ndryshëm për ta përshëndetur presidenten dhe për të bërë fotografi me të, por sipas tij kjo nuk duhet të interpretohet si organizim partiak.
“Kjo është një traditë e familjes sonë dhe një mikpritje që e kemi ruajtur ndër vite. Përgjatë iftarit kanë ardhur shumë njerëz për ta përshëndetur Presidenten dhe për fotografi, por kjo assesi nuk është organizim partiak”, thuhet në reagimin e tij.
Deklarata e Sopës vjen në kohën kur aktivitetet publike të presidentes Osmani po komentohen gjerësisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike në vend.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë mbrëmë në një iftar të organizuar në Lipjan.
Në këtë iftar, pranë saj ishte edhe ish-deputeti i GUXO-s, Haxhi Avdyli i cili të hënën dha dorëheqje nga partia.
Në videon e siguruar nga Klan Kosova, presidentja shihet e ulur në tavolinë së bashku me Avdylin teksa flet për ura bashkëpunimi.
“Duhet me lënë ura të komunikimit se kurrë s’i dihet qysh sillat bota, prapë përfundojmë në një tavolinë”, thotë e para e shtetit.