Kryeministri Albin Kurti pretendon se presidentja Vjosa Osmani bëri “shkelje të rëndë të rendit kushtetues” me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të premten.
Ai i kërkoi gjykatës që të vendoste sa më shpejt masën e përkohshme, pasi, siç shkruan ai, zhvillimet tutje do të kishin ndikim të madh në funksionimin dhe stabilitetin institucional të vendit, “duke krijuar një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.
Kurti shkruan në kërkesë se vendosja e masës së përkohshme imponohej edhe prej faktit se Osmani mbajti më pas një takim konsultativ me partitë politike lidhur me datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Në vijim, parashtruesi i kërkesës sqaron se: “Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar nr. 24/2026, në të njëjtën ditë, 6 mars 2026, Presidentja e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e efekteve të tij juridike, përkatësisht përmes thirrjes së partive politike në një takim konsultativ lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, shkruan ai në kërkesën dërguar Gjykatës.
Kurti thotë aty se pa vendosjen e një mase të përkohshme do të kishte rrezik “të menjëhershëm dhe real” që ajo t’i shpallte zgjedhjet e reja.
“Nëse dekreti i kontestuar do të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit kushtetues prej dyzet e pesë (45) ditësh, duke e shndërruar kështu këtë akt në një proces institucional të pakthyeshëm në praktikë. Në këto rrethana, rreziku kushtetues nuk është më hipotetik, por i menjëhershëm dhe real. Ai konsiston në krijimin e një situate faktike që, edhe në rast të konstatimit të mëvonshëm të antikushtetutshmërisë nga Gjykata, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të rikthehej në gjendjen e mëparshme juridike”, shkruan Kurti në kërkesë.
Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ia ndaloi presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri në fund të këtij muaji