Daut Haradinaj shprehet për një koalicion të opozitës me Vjosa Osmanin brenda, kundër Albin Kurtit

Deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur pro krijimit të një koalicioni më të gjerë opozitar për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se një bashkim i tillë do të mund të sillte një ofertë më të fortë politike për qytetarët.

 

Në një deklarim për emisionin ‘Blic Interview’ me Astrit Gashin, Haradinaj tha se brenda AAK-së nuk ka pasur ende diskutime të brendshme për këtë çështje, por shtoi se personalisht e mbështet një bashkëpunim më të gjerë opozitar.

 

Nuk jam kundër; përkundrazi, jam për një koalicion më të gjerë opozitar. Nuk kemi pasur diskutime të brendshme në Aleancë, sepse deri më sot nuk e kemi ditur se si do të shkojnë gjërat. Megjithatë, besoj se askush në Aleancë nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë. Ne duhet të përgatisim listën tonë, shtabet zgjedhore dhe gjithçka tjetër, në mënyrë që të arrijmë një rezultat sa më të mirë si parti. Pastaj, nëse ka ndonjë ofertë apo bashkëpunim më të gjerë, unë jam shumë pro dhe shumë i gatshëm. Duhet të krijojmë një ekip dhe të largohemi pak nga ambiciet personale, duke synuar një grupim të fortë dhe fitore në zgjedhjet e ardhshme. Duhet të bëjmë një kompromis dhe të paraqesim një ofertë fituese para qytetarëve”, deklaroi Haradinaj.