Sipas burimeve të Gazeta Minuti të afërta me zhvillimet e fundit, është duke u kristalizuar një pajtueshmëri e gjerë në skenën politike që Vjosa Osmani, nëse vendos të hyjë në garë zgjedhore, të jetë pjesë e një formule të përbashkët politike dhe të garojë për postin e kryeministres së ardhshme.
Burimet bëjnë të ditur se janë duke u shqyrtuar dy opsione konkrete:
-
hyrja e Osmanit në një listë të përbashkët zgjedhore me subjekte ekzistuese politike, ose
-
paraqitja e saj përmes një liste të veçantë, e cila më pas do të futej në koalicion parazgjedhor apo paszgjedhorme parti të tjera.
Sipas të njëjtave burime, ky konsensus i heshtur po ndërtohet mbi vlerësimin se Osmani mbetet një nga figurat me mbështetjen më të gjerë qytetare, përtej ndarjeve tradicionale partiake. Pikërisht për këtë arsye, emri i saj po shihet si faktor unifikues për një bllok më të gjerë politik, i cili do të synonte fitimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Në qarqe politike thuhet se ekziston gatishmëri që Osmani të jetë figura kryesore e listës, pra kandidate për kryeministre, pavarësisht se në çfarë forme do të strukturohej subjekti apo koalicioni që do ta përfaqësonte. Ky zhvillim konsiderohet si një ndryshim i rëndësishëm në raportet politike, pasi për herë të parë po flitet hapur për një platformë të përbashkët rreth emrit të saj.
Burimet theksojnë se ende nuk ka një vendim përfundimtar nga vetë Osmani, por se bisedimet joformale janë intensifikuar dhe se ekziston një klimë politike që e favorizon këtë skenar. Sipas tyre, vendimi i saj pritet të jetë përcaktues për konfigurimin e ardhshëm të skenës politike dhe për mënyrën se si do të ndërtohen koalicionet zgjedhore.
Nëse ky plan konkretizohet, atëherë zgjedhjet e ardhshme do të përballnin qytetarët me një alternativë të re politike, ku Osmani do të paraqitej si kandidate për kryeministre në kuadër të një formule të përbashkët ose përmes një liste të saj në koalicion. Ky skenar pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në strategjitë e partive të mëdha, të cilat do të detyrohen të ripozicionohen përballë një kandidature me mbështetje të gjerë publike.
Zyrtarisht ende nuk ka deklaratë nga Osmani për këtë çështje, por burimet politike vlerësojnë se ditët në vijim mund të sjellin sinjale më të qarta për drejtimin që ajo do të zgjedhë dhe për mënyrën se si do të strukturohet pjesëmarrja e saj eventuale në zgjedhje.