Glauk Konjufca REFUZON të jetë kandidat për President

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, në skenën politike është hapur një opsion i ri për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, po shqyrtohet si kandidat potencial nga Lëvizja Vetëvendosje për ta propozuar në krye të shtetit.

Burime të afërta me partinë e kryeministrit Albin Kurti bëjnë të ditur se emri i Hotit është futur në diskutim në orët e fundit, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, i cili mbyllet nesër në mesnatë. Sipas këtyre burimeve, kjo lëvizje po shihet si përpjekje për të gjetur një figurë që mund të pranohet më lehtë edhe jashtë radhëve partiake.

Andin Hoti është emër relativisht i ri në qeverisje, pasi vetëm së fundmi është emëruar ministër në Qeverinë Kurti 3. Ai është djali i veprimtarit dhe intelektualit të zhdukur Ukshin Hoti, figurë simbolike e rezistencës politike dhe akademike shqiptare. Përpara se të merrte postin ministror, Hoti kishte shërbyer si kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, ku kishte pasur rol të drejtpërdrejtë në proceset e ndjeshme që lidhen me zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës.

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, pikërisht ky profil – i lidhur me çështje të ndjeshme kombëtare dhe me trashëgimi simbolike politike – po konsiderohet si avantazh në një situatë të tensionuar politike, ku mungon konsensusi ndërmjet partive për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Ndërkohë, emri i Glauk Konjufca, i përmendur ditën e djeshme si opsioni kryesor i Vetëvendosjes për President, raportohet se ka hasur në hezitim nga vetë Konjufca. Burime politike thonë se ai nuk ka pranuar të përfshihet në një proces zgjedhor pa pasur më parë një marrëveshje politike dhe konsensus minimal mes partive parlamentare. Kjo ka bërë që brenda LVV-së të hapet diskutimi për alternativa të tjera, përfshirë edhe emrin e Andin Hotit.

Në këtë kontekst, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të mbajë sot një mbledhje në orën 13:00, ku çështja e Presidentit do të jetë pika kryesore e rendit të ditës. Në këtë takim, sipas burimeve, do të diskutohet strategjia për votimin në Kuvend, si dhe emri përfundimtar që do të propozohet nga partia në pushtet.

Situata mbetet e hapur dhe dinamike, ndërsa partitë politike po përballen me presionin e afatit kushtetues. Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit, vendi mund të futet në një fazë të re krize politike dhe institucionale.

Gazeta Minuti do të vazhdojë të raportojë për zhvillimet e fundit dhe vendimin që pritet të merret nga Lëvizja Vetëvendosje në orët në vijim.