“Kësaj here, Kurti kah ta sillsh, është ngulë”

Gazetari Berat Buzhala ka reaguar me një postim të ashpër lidhur me zhvillimet politike rreth zgjedhjes së presidentit dhe raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, duke paralajmëruar se skenarët aktualë po e fusin vendin në një situatë të vështirë politike.

Sipas Buzhalës, tentativa për ta zgjedhur tashmë Vjosa Osmanin presidente është bërë e vonuar dhe pa efekt real politik. Ai shprehet se Kurti tashmë është i vetëdijshëm se koha për manovra politike ka kaluar dhe se loja e ndjekur deri tani është kuptuar nga pala tjetër.

“Me provu me zgjedhë sot Vjosën, tash Albini e din që është bërë vonë. Vjosa ia ka kuptu lojën e ndytë”, shkruan Buzhala, duke sugjeruar se raportet mes dy figurave kryesore shtetërore janë tensionuar dhe se besimi politik është konsumuar.

Në analizën e tij, gazetari thekson se edhe skenari i dërgimit të vendit në zgjedhje të reja nuk i shkon për shtati kryeministrit, pasi në një përballje të tillë elektorale, sipas tij, Vjosa Osmani do të shfaqej si kundërshtare e drejtpërdrejtë politike.

“Me çu vendin në zgjedhje, gjithashtu e din që Vjosën ka me pasë kundër. Kah ta sillsh, është ngule”, vlerëson Buzhala, duke nënvizuar se çdo opsion që po shqyrtohet aktualisht duket se e fut qeverinë dhe kryeministrin në një qorrsokak politik.

Ai e përmbyll reagimin e tij me një shprehje popullore, duke ironizuar situatën e krijuar: “Qysh thonë, pehlivanit ia han kryet zanati”, duke lënë të kuptohet se veprimet e deritanishme politike mund të kthehen në kosto serioze për ata që i kanë ndërtuar këto skema.

Deklarata e Buzhalës vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë po përballet me paqartësi rreth procesit të zgjedhjes së presidentit dhe mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të reja, ndërsa raportet mes figurave kryesore shtetërore mbeten të tensionuara dhe të mbushura me akuza të ndërsjella.