Sipas burimeve të Gazetës Minuti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pranuar tashmë që ta propozojë Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Kosovës, duke ndryshuar qasjen e deritanishme ndaj kësaj çështjeje.
Burimet bëjnë të ditur se ky vendim i Kurtit ka një prapavijë të qartë politike: largimin e përgjegjësisë direkte nga vetja dhe zhvendosjen e presionit politik tek Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas të njëjtave burime, Kurti ka vlerësuar se duke e propozuar Osmanin, ai do ta “pastrojë veten” nga kërkesat e vazhdueshme të mbështetësve të saj, të cilët prej kohësh e kanë shtyrë Vetëvendosjen drejt kësaj zgjidhjeje.
Në këtë logjikë politike, nëse eventualisht kandidatura e Osmanit do të dështojë në Kuvend për mungesë votash, përgjegjësia politike nuk do të binte mbi Kurtin apo Vetëvendosjen, por do të zhvendosej drejt LDK-së, si subjekti politik prej të cilit vjen Osmani dhe që konsiderohet kyç për sigurimin e numrave të nevojshëm parlamentarë.
Burimet e Gazetës Minuti theksojnë se Kurti tashmë e ka pranuar realitetin politik se emri i Osmanit është një nga më të përfolurit dhe më të kërkuarit në opinionin publik, por ai synon që përmes këtij veprimi të menaxhojë koston politike të një dështimi të mundshëm. Në këtë mënyrë, Kurti do të mund të deklarojë se ka bërë hapin e kërkuar nga mbështetësit e Osmanit, ndërsa mungesa e suksesit do të faturohej tek partitë e tjera, në veçanti tek LDK-ja.
Sipas burimeve, ky qëndrim është diskutuar edhe në rrethe të ngushta politike, ku është vlerësuar se propozimi i Osmanit është një lëvizje taktike më shumë sesa një bindje e plotë politike. Qëllimi kryesor i kësaj strategjie është të shmanget perceptimi se Kurti po bllokon procesin e zgjedhjes së presidentit dhe se Vetëvendosje po mban përgjegjësinë për një krizë institucionale.
Në këtë kontekst, burimet nënvizojnë se “topi politik” tashmë i është kaluar LDK-së, e cila do të duhet të dëshmojë nëse është e gatshme ta mbështesë realisht Osmanin dhe të sigurojë votat e nevojshme brenda radhëve të saj. Nëse kjo nuk ndodh, Kurti pritet të argumentojë se dështimi nuk ka ardhur për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e tij, por për shkak të mungesës së unitetit brenda LDK-së.