PDK del me qëndrim të ri për Presidentin

Deputetja e Partia Demokratike e KosovësVlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për president konsensual, duke e paraqitur PDK-në si forcën politike që po tregon përgjegjësi shtetërore në këtë situatë politike.

Çitaku ka shkruar në Facebook se PDK-ja ka dëshmuar vazhdimisht rolin e saj në momentet më të rëndësishme të shtetndërtimit të vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës është parti shtetformuese. Këtë e kemi dëshmuar në momentet më të vështira të vendit dhe këtë përgjegjësi e mbajmë edhe sot”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së ka komentuar edhe takimin e kryetarit të partisë, Bedri Hamza, me kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ky takim nuk ishte tentim për pazar politik, por një përpjekje serioze për të gjetur zgjidhje reale për ngërçin institucional.

Sipas saj, PDK-ja ka hyrë në këtë proces me përgjegjësi dhe seriozitet, me synimin për të shmangur thellimin e krizës dhe për të dalë nga, siç e quan ajo, “cikli i pafundëm i krizave politike”.

Reagimi i Çitakut vjen në kohën kur afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po afrohen, ndërsa mungesa e një marrëveshjeje politike mes partive parlamentare rrezikon ta thellojë më tej krizën institucionale në vend.