Sipas burimeve të Gazeta Minuti, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pritet që sot t’ia paraqesë një ofertë politike kryeministrit Albin Kurti, lidhur me zgjidhjen e çështjes së presidentit të vendit.
Burimet bëjnë të ditur se oferta e Abdixhikut parasheh arritjen e një marrëveshjeje politike mes LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje, ku LDK do ta kërkojë postin e Presidentit të Kosovës në këmbim të votës së deputetëve të saj në Kuvend.
Sipas të njëjtave burime, kjo ofertë konsiderohet si alternativa e vetme që arrin t’i pajtojë të gjithë 15 deputetët e LDK-së, pasi për opsione të tjera ekzistojnë mendime të ndryshme dhe qëndrime të ndara brenda partisë.
Mësohet se brenda LDK-së ka pasur diskutime të shumta për mënyrën e tejkalimit të ngërçit institucional, por propozimi për një marrëveshje direkte me Vetëvendosjen shihet si rruga më e pranueshme për të ruajtur unitetin e grupit parlamentar.
Takimi mes Abdixhikut dhe Kurtit pritet të sqarojë nëse ekziston vullnet politik për një kompromis të tillë, apo nëse vendi do të vazhdojë të përballet me bllokadë në procesin e zgjedhjes së presidentit.