Pak para takimit të paralajmëruar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, presidentja Vjosa Osmani ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqen momente nga aktivitetet e saj, gjatë të cilave ajo është përshëndetur dhe uruar nga qytetarë të ndryshëm.
Në përshkrimin e videos, Osmani ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e vazhdueshme, duke theksuar se besimi dhe dashuria e tyre janë shtysë për angazhimin e saj institucional. “Faleminderit për besimin! Faleminderit për dashurinë! Mbështetja dhe zëri juaj janë forca që më kanë udhëhequr dhe do të vazhdojnë të më udhëheqin në çdo hap”, ka shkruar ajo.
Publikimi i videos vjen në një kohë kur po intensifikohen diskutimet politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të vendit. Osmani po synon edhe një mandat tjetër në krye të shtetit, ndërsa nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë mbledhur nënshkrime dhe se nuk kanë dalë me emra kandidatësh.
Sipas zhvillimeve të deritanishme, emri i Vjosa Osmanit nuk ka qenë pjesë e diskutimeve ndërmjet kryetarëve të partive parlamentare, ndërsa nga LVV-ja është lënë të kuptohet se këtë herë nuk po e shqyrtojnë mbështetjen e saj për një mandat të dytë presidencial.