Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë sot në Kampin Bondsteel, në ceremoninë e ndërrimit të komandës dhe pranim-dorëzimit të detyrës së komandantit të Komandës Rajonale-Lindje të misionit KFOR. Në këtë ceremoni, Osmani u pa edhe në një moment të veçantë me Kryeministrin Albin Kurti, ku të dy shiheshin të buzëqeshur, duke shfaqur një atmosferë të harmonisë dhe bashkëpunimit institucional.
Komandanti i deritashëm, koloneli Jonathan Lloyd, ia dorëzoi detyrën kolonelit Sam Sargeant. Presidentja Osmani e uroi kolonelin Sargeant për detyrën e re dhe theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’i dhënë mbështetje të plotë në përmbushjen e mandatit dhe misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO.
Në fjalimin e saj, Osmani ritheksoi mirënjohjen e Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e palëkundur në të gjitha etapet e shtetndërtimit dhe forcimit të paqes në vend. Ajo vuri në dukje se pranësia e trupave ushtarake amerikane në Kosovë është e jashtëzakonshme jo vetëm për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë, por edhe si një mesazh i qartë përkushtimi ndaj paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin.
Në imazhin e ndarë nga Presidenca, Osmani dhe Kurti shihen të buzëqeshur, duke reflektuar një moment harmonik dhe simbolik për bashkëpunimin ndërinstitucional në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit të vendit.
