Shefi i Grupit parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka paraqitur qëndrimin zyrtar të kësaj partie lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së ardhshme të vendit, duke theksuar se Kosovës nuk i bën nder një figurë e njëanshme politike.
Tahiri ka deklaruar se PDK-ja mbetet e fokusuar në parime dhe standarde të qarta, mbi të cilat do të bazohej mbështetja e saj për kandidatin për president. Sipas tij, partia është e gatshme të japë kontribut konstruktiv në interes të institucioneve dhe stabilitetit politik, madje edhe duke propozuar një emër nga radhët e saj, nëse kjo kërkohet dhe vlerësohet e nevojshme.
“Dikush që përfaqëson edhe pozitën edhe opozitën, por edhe qytetarët që realisht nuk e votojnë presidentin direkt. Dikush që ka reputacion e integritet vendor dhe ndërkombëtar dhe dikush që ka kontribute e është intelektual, që i bën nder edhe shtetit të Kosovës dhe qytetarëve. Vazhdojmë me mbet brenda këtyre qëndrimeve, në kuptim të asaj që me diskutu në parim dhe standard se kush do të duhej t’i plotësonte këto atribute për të qenë president i vendit. Ende nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm, nuk kemi fol as dje, s’po flasim as sot, por vullneti i PDK-së është me kontribu në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë, por nëse nuk ka me u mujt me u gjet dikush dhe nëse s’ka me pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK-ja është e gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje”, ka thënë Tahiri.
Ai ka nënvizuar se aktualisht nuk ka diskutime për emra konkretë, duke insistuar se procesi duhet të mbetet i fokusuar në kritere dhe jo në marrëveshje të ngushta politike. Sipas tij, PDK-ja nuk është e interesuar për pazare politike, por për një qasje proaktive dhe mbështetëse ndaj institucioneve të vendit.
Duke u pyetur drejtpërdrejt nëse PDK-ja do ta votonte Vjosa Osmani edhe për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Presidencës, Tahiri shmangu përmendjen e emrave të përveçëm, por theksoi qartë se vendit nuk i shërben mirë një figurë që ka pasur qasje të njëanshme politike.
“Nuk është që është diskut për marrëveshje politike, kjo çështje ka përfundu. Marrëveshje politike i kish ra kur është formu qeveria. PDK-ja nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por për me pas qasje proaktive, pozitive, mbështetëse për institucionet dhe mbështet një kandidat që plotëson këto standarde që i ceka. Nuk është se po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Në këtë nivel jemi tu fol në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyshme dhe kërkohet, pa dyshim që PDK-ja do të nxjerrë edhe emra”, u shpreh Tahiri.
Në këtë kontekst, ai la të hapur mundësinë që, në mungesë të konsensusit politik dhe vullnetit nga forca kryesore qeverisëse, vendi të shkojë në zgjedhje të reja, duke ritheksuar se për PDK-në prioritet mbetet funksionimi i institucioneve dhe zgjedhja e një presidenti që gëzon besim të gjerë shoqëror dhe politik.