Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs kundër vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme, i cili la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në kërkesën e tij, kreu i Partisë së Lirisë kundërshton qëndrimin në paraburgim dhe kërkon zbutjen e masës. Ai argumenton se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e tij në qeli dhe e konsideron masën të pajustifikuar dhe joproporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.
Kreu i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ilir Meta ndodhet në qeli prej tetorit 2024, dhe akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.