Intervista e shumëkomentuar e Loredana Zefit në podcastin “Mirëmbrëma Yje”, e moderuar nga Arbana Osmani, nuk gjendet më në kanalin zyrtar në YouTube. Episodi, i cili mori vëmendje të madhe për deklaratat e artistes rreth marrëdhënies me ish-partnerin Mozzik, është hequr nga platforma, ndërsa arsyeja nuk është bërë publike.
Megjithatë, në profilin e Arbana Osmanit në Instagram vijojnë të jenë të publikuara reels dhe fotografi nga intervista, që tregojnë momentet më të komentuara të bisedës.
Intervista u realizua pak javë pas publikimit të projektit muzikor “Diss*****” nga Mozzik, ku reperi trajton tema personale dhe përballet me kritika publike, përfshirë edhe rolin e tij si prind. Projekti ngjalli reagime të shumta dhe riktheu në qendër të vëmendjes raportin mes dy ish-partnerëve.
Gjatë bisedës, Loredana u shpreh se kishte zgjedhur të heshtte për një kohë të gjatë për hir të vajzës së tyre, Hanës, por u ndje e detyruar të reagojë pas publikimit të këngës. Ajo theksoi se situata ka ndikuar emocionalisht tek vajza dhe se i ka dhënë asaj lirinë të vendosë për raportin me të atin.
Pavarësisht fshirjes së episodit nga YouTube, fragmentet që qarkullojnë në rrjete sociale vazhdojnë të mbajnë gjallë diskutimet në publik.