Përparim Rama: Në Hagë nuk po gjykohen vetëm katër burra, por shtetësia e Kosovës

Kryetari i Prishtinës uron drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe kthimin e tyre sa më parë pranë familjeve.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë nuk ka të bëjë vetëm me individë të caktuar, por me vetë historinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Sipas tij, në Hagë nuk po gjykohen vetëm krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), por edhe liria dhe shteti i Kosovës.

“E kemi edhe procesin në Hagë për burrat shqiptarë që po gjykohen, që kanë dhënë pothuajse çdo gjë gjatë kohës së luftës e që sot po gjykohen. Ne si shoqëri duhet me ditë që atje nuk po gjykohen vetëm ata katër burra, por po gjykohet faktikisht edhe liria e vendit tonë dhe shtetit tonë dhe shtetësisë tonë”, ka deklaruar Rama në “Dukagjin”.

Ai uroi që procesi të jetë i drejtë dhe që ish-drejtuesit e UÇK-së të rikthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre. “Uroj që të ketë drejtësi, që gjykimet të jenë të drejta dhe t’i kemi këta luftëtarë të lirë me familjet e tyre ashtu siç e meritojnë”, ka thënë Rama.