Marrëdhënia mes Mateos dhe Brikenës ka hyrë në një fazë tensioni gjatë ditëve të fundit.
Debati nisi pas një basti që Brikena bëri me Mirin dhe vendimit të saj për të hyrë në pishinë. Mateo e cilësoi veprimin “pa lidhje” dhe pranoi se raporti mes tyre ka ndryshuar si pasojë e disa hatërmbetjeve të akumuluara.
Në bisedë ndërhyri opinionisti Arbër Hajdari, i cili vuri në pikëpyetje ndjenjat e Mateos për Brikenën dhe e kritikoi për qëndrimin e tij.
“Isha i pari që kam besuar te marrëdhënia jote. Nuk arrin të duash dikë nëse nuk uron të njëjtat arritje që uron për veten. Kam përshtypjen që sjellja dhe qëndrimet e Brikenës kanë qenë korrekte. Ajo ka hyrë për veten dhe ka të drejtë të luajë e të fitojë. Mos u trego mosmirënjohës. Ki respekt dhe më dëgjo deri në fund. Nuk e shoh Mateon të ketë interes për Brikenën. Është e padrejtë të duash të jesh i preferuar dhe të mos urosh të njëjtën gjë për njeriun që ke pranë. Kam dyshime që ke ndjenja për Brikenën”, u shpreh Hajdari.
Mateo kundërshtoi pretendimet se përplasja lidhej me Mirin dhe sqaroi pozicionin e tij në raport me Brikenën.
“Situata me Mirin ishte e fundit fare. Karshi Brikenës e kam ulur egon jashtë mase. Xheloz për Brikenën jam, kam të drejtën time t’i them ‘kujdes’. Parimisht e vlerësoj Brikenën si njeri”, tha ai.
Edhe Brikena reagoi pas deklaratave të Mateos. Ajo tha se u ndje mirë për intervistën e tij, por theksoi se disa komente nuk i kishin pëlqyer dhe ia kishte shprehur drejtpërdrejt.
“Nuk më ka ardhur mirë për 2-3 gjëra dhe ia kam thënë. Edhe unë mendoj se Selin është banore e fortë dhe e vlerësoj si vajzë, por pse të mos përmendet edhe emri im? I thashë: pse lë vend për keqkuptime?”, u shpreh ajo.