SkandaI në Serbi – Vuçiq para një salle të mbushur detyroi një grua t’i tregojë fëmijës se nuk është nëna e tij

Gjatë një vizite të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në qytetin e Borit, në një takim me qytetarë, ndodhi një skenë e rëndë.

Një banore lokale u detyrua nga Vuçiqi – përballë një sallë të mbushur dhe para fëmijës së saj të sëmurë – të zbulonte një sekret familjar: se ajo nuk ishte në fakt nëna biologjike e fëmijës.

Gruaja, e quajtur Gordana Kariq, kërkoi fjalën për të folur për problemet që ka me marrjen e ndihmës sociale për fëmijën e saj, i cili është i sëmurë, ka pasur disa operacione dhe vuan nga probleme me zemrën. Ajo tha se prej nëntë muajsh nuk ka marrë asnjë ndihmë nga sistemi.

Në vend që të përgjigjej direkt mbi ndihmën sociale, Vuçiq nisi të fliste për procedurat dhe kontrollet e qendrave sociale, duke sugjeruar se mund të ketë pengesa ligjore për pagesat, shkruajnë mediat.

Edhe pse gruaja kërkoi që të mos fliste për problemet e familjes në praninë e fëmijës, Vuçiq e inkurajoi të tregonte gjithçka “për ta zgjidhur problemin menjëherë”.

Nën presion, ajo shpërtheu në lot dhe tha para djalit se ajo është halla e tij, nëna e tij ka vdekur dhe se ajo e ka kujdesur fëmijën për 13 vjet, duke u përpjekur të bëhej prind i ligjshëm, por se vazhdimisht është refuzuar.

Pas kësaj, Vuçiq e përshkroi situatën në mënyrë dramatike, duke thënë se procedurat janë të ndërlikuara dhe se do të përpiqet të zgjidhë çështjen, duke i premtuar një përgjigje deri të mërkurën, dhe duke theksuar se ajo “në çdo rast është nënë për djalin, sepse ai kujdeset për të”.