Këshilltari i Presidentes së Kosovës: Ja çfarë u diskutua mes Trump, Ramës dhe Osmanit

Kreshnik Çollaku, këshilltari i Vjosa Osmani, shpjegoi për emisionin “Kjo Javë” se nuk pati një koordinim të fjalimeve mes kryeministrit të Edi Rama dhe presidentes Osmani për shkak të kufizimeve kohore gjatë vizitës së Donald Trump.

Sipas Çollakut, koha u shkurtua për shkak të agjendës së ngjeshur të presidentit amerikan dhe shumë folësve që ishin pjesë e listës së gjatë iu desh të prisnin radhën në një tjetër moment, përfshirë edhe disa pjesëmarrës nga Davos.

 

Çfarë u diskutua pas firmosjes së Bordit të Paqes

Çollaku tregoi gjithashtu për bisedën e supozuar mes Trump, Osmanit dhe Ramës pas ceremonisë së Bordit të Paqes.

Kryeministri Rama ngriti shqetësimin për gjyqin e Hashim Thaçi në Hagë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit Shqipëri–Kosovë.

“Çështja e Hagës ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe nuk ka dallime mes shqiptarëve. Shpresojmë që drejtësia ta trajtojë në këtë mënyrë. Kjo ishte gjithashtu tema e bisedës mes Trump, Osmanit dhe Ramës”, tha Çollaku.