“Gjermanin e kemi kundër”, analisti zbulon nga Haga gjyqtarët që do të vendosin për ish-krerët e UÇK

I ftuar në një lidhje direkte nga Haga për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, në Euronews, analisti Flogert Muça raportoi mbi procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai përshkroi atmosferën në sallën e gjyqit si të ftohtë dhe të tensionuar, ndërsa theksoi se, përtej emocioneve dhe ankthit të familjarëve e gazetarëve, ekziston bindja se procesi ka natyrë politike.

Muça dha detaje edhe për trupën gjykuese që do të marrë vendimin përfundimtar, duke zbuluar përbërjen e saj dhe duke ngritur dyshime për qëndrimin e njërit prej gjyqtarëve,pikërisht atij gjerman. Sipas analistit, mënyra e sjelljes në sallë, formulimi i pyetjeve dhe dinamika mes trupës gjykuese e prokurorisë lënë të kuptohet se vendimi mund të mos mbështetet vetëm mbi prova dhe fakte juridike.

“Ajo salla e gjyqit është shumë e ftohtë, Erla. Duket ftohtësia që te policët që të presin te dera dhe në një moment duket vetja në një situatë komplet surreale. Por buzëqeshja e komandantëve, përshëndetja e tyre dhe optimizmi i tyre na inkurajon edhe ne që të jemi optimistë. Ka një ankth që nuk thuhet shumë me fjalë, por lihet të kuptohet. Frika nuk vjen nga çfarë kanë bërë komandantët, frika vjen nga fakti që kemi të bëjmë me një gjyq që nuk është juridik dhe faktik, është gjyq politik. Trupa e gjyqtarëve përbëhet nga tre gjyqtarë: një amerikan, një zvicerian dhe një gjerman. Ka edhe një irlandez që është zëvendësues. Po ta shohësh nga salla, njëri prej tyre, ai gjyqtari gjerman, ka një sjellje anormale që nuk shkon me profilin e gjyqtarit. Bën pyetje cinike, ka një nënqeshje gjatë gjithë kohës kur flet pala mbrojtëse e Veselit, Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Selimit. Mënyra si formulon pyetjet, si për shembull ‘me ç’të drejtë UÇK-ja, që nuk ishte e institucionalizuar, ndalonte dhe arrestonte spiunë serbë’, tregon qartë një qasje problematike. Prokuroria paraqet prova që janë për të mos thënë të fabrikuara. Një letër pa vulë, pa firmë, pa asnjë shenjë dalluese, paraqitet si urdhër i komandantëve për të mos dhënë intervista. Kur avokatët kërkojnë një fakt konkret që të tregojë pasojë direkte nga deklaratat e komandantëve, Prokuroria thotë se ‘ne flasim në përgjithësi dhe nuk ka pse të kemi raste individuale’. Ta shohësh nga afër në sallë, të duket qesharake nga paaftësia për të argumentuar akuzat. Por po e them këtu nga Hollanda: ky gjyq nuk do vendoset nga faktet dhe provat, sepse ato janë dukshëm në favor të komandantëve. Ky gjyq do vendoset nga vullneti politik. Gjermanin e kemi kundër. Nesër është dita e fundit, katër komandantët kanë nga 20 minuta fjalën e tyre përpara trupës gjykuese. Pastaj gjykata ka 90 ditë kohë për vendimin dhe mund të kërkojë edhe 60 ditë të tjera”, tha Muça.