Mbrojtja e Kadri Veselit ka hedhur poshtë fuqishëm pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë provë e drejtpërdrejtë që e lidh klientin e tyre me veprat penale të pretenduara në aktakuzë.
Gjatë seancës së sotme në Hagë, avokati i Veselit u shpreh i ashpër ndaj logjikës së përdorur nga prokuroria, duke thënë se e vërteta qëndron në mungesën totale të provave.
“ZPS nuk mund të thotë që 2 plus 2 bëjnë pesë. Megjithatë, ndonëse ata e mohojnë të vërtetën, e vërteta është mungesa e provave që pretendojnë përfshirjen e Veselit në veprime kriminale. Mungesa e provave, natyra rrethanore e argumenteve dhe sjellja e jashtëzakonshme e prokurorisë tregojnë se nuk ka asnjë argument kundër tij”, deklaroi mbrojtja.
Sipas avokatit, prokuroria është mbështetur vetëm në prova dytësore dhe nuk ka arritur të gjejë asnjë dëshmitar të vetëm që vërteton akuzat. Ai theksoi se megjithëse emri i Veselit përmendet rreth 260 herë në dosjen e ZPS-së, asnjë nga këto përmendje nuk dokumenton veprime të jashtëligjshme.
“Pas gjithë kësaj kohe, të vish në gjykatë dhe të pretendosh se Veseli ka kryer krime, është e pamundur sepse ato nuk ekzistojnë. Ky është një fakt befasues. Nuk ekziston asnjë provë e dorës së parë. Gjithçka që ai ka kryer ka qenë legjitime”, u shpreh tutje avokati.
Mbrojtja paralajmëroi se gjatë ditëve në vijim, konkretisht të hënën dhe të martën, do t’i zbërthejë në detaje të gjitha parashtrimet e ZPS-së, duke sjellë shembuj konkretë të deklaratave të pabazuara.