Gazetari plas “bombën”: Rama i pandehur i ri i SPAK

Vepra është konsumuar publikisht!

Struktura e Posaçme ka tagër kryesisht të nisë ndjekjen penale në ngarkim të Kryeministrit për pengim të drejtësisë. Një kërkesë në emër të tij duhet të shkojë në Kuvend, ndonëse sërish mburoja e paligjshmërisë e kontrolluar nga i “pandehuri” do të zvarrisë procedurën. Lajmëroi se do të bëjë ndërhyrje ligjore për ndryshime të Kodit të Procedurës Penale, e grupi parlamentar do të merret me këtë, duke mos e konsideruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për lënien në fuqi të pezullimit, e rrëzimit të kërkesës së tij. Njëherësh deklaroi bllokimin e marrjes së vendimit për kërkesën e prokurorisë për heqje e imunitetit të Belinda Ballukut dhe masë sigurie arrest ndaj saj. Ka dosje shumë ku emri i Edi Ramës përmendet dhe është në situata të ndërlikuara të veprës penale:

 

Inceneratorët, Porti Durrësit, Porto Romano, investimet strategjike, narco-investimet, Eco Park, AKSHI, “Balluku”, Anijet e energjisë në Vlorë, Aeroporti i Vlorës, Tuneli i Llogarasë, Rruga e Arbërit, koncensioni Thmanë-Kashar, “Becchetti” , Smart City e tregtia e armëve. Pa lënë mënjanë dosjen 5-vjeçare të korruptimit të zv/drejtorit të FBI, Charles McGongal e majft të tjera.

Kemi grusht në Pallatin e Drejtësisë?

 

Kemi grusht shteti, duke ndërhyrë në tagrat e pushtetit gjyqsor?

Kemi pushtim të të gjitha pushteteve?

Jo. Aspak. Asnjëra. Është shumë më e thjeshtë dhe më e dukshme. Eshtë mafia që flet në emër të tij.

Duket se fuqia shantazhuese e zëvëndëses kapërcen frikën ndaj hetimit, e përballjes me drejtësinë. Rama tashmë është tërësisht në duart e zëvëndëskryeministres. Ai nuk bën dot asgjë kundër saj, por angazhon gjithë pushtetet institucionale dhe kriminale, ta mbrojë atë, thjesht për të mbrojtur fundshpinën e tij. Natyrisht ka edhe një frikë të shtuar se trazirat e brendshme socialiste në grupin parlamentar, mund të kenë sjellë rrjedhje të ndjeshme në numra, duke rënë nga mjaftueshmëria e mburrjes 83. Ndaj Rama ngutet për të thënë se nuk duhet të ngutemi. Nuk ka urgjencë, thotë kryeministri për kërkesën e SPAK, a thua tani e sheh veten sikur është drejtuesi i saj, Klodian Braho, apo prokurori i çështjes “Balluku”, Dritan Prençi.!!

Përgjimet e Belës ka gjasa të jenë më të forta e më rrënuese se ato të SPAK-ut për Edi Ramën?!

Struktura e Posaçme është duke u penguar në hetime, dhe ky pengim drejtësie vjen nga kreu i mazhorancës dhe deputetë të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, paçka se gjatë rrugës dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë mëkate të cilat mund të kthehen së afërmi në raste penale. Amerikanët, gjermanët, BE janë në sinkronë në kërkesat e tyre të shpeshta ndaj qeverisë, të mos mbrohet e pandehura Balluku dhe të mos ushtrohet presion ndaj drejtësisë, kryesisht ndaj Prokurorisë së Posaçme. Deri tani kryeministri nuk ka dëgjuar asnjë germë.

Ka pohuar se ka prova të shumta. Se Balluku ka kanosur dëshmitarët. Se ministrja është rrezik potencial i prishjes së provave. Se akuza mund të rikualifikohet me gjetjet e reja të çështjeve shtesë në hetim, duke u rënduar pozita penale e zëvëndëses së kryeministrit. Veprimet e tyre duhet të dëshmojnë vendosmëri institucionale të shpejtë. Nëse jo, njëra nga palët do të marrë pjesë në funeralin e tjetrës…