Deputeti shqiptar në Zvicër, Korab Rashiti, në një reagim dhënë për ‘Bota sot’, ka ngritur alarmin për atë që ai e quan “plaçkitje të legalizuar” të qytetarëve dhe mërgatës përmes sistemit aktual të taksimit të veturave në Kosovë, duke kërkuar ndryshime urgjente ligjore.
Në një reagim publik drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Ministrisë së Financave, Rashiti thekson se Kosova, ndonëse një nga vendet më të varfra në Evropë, aplikon taksa për vetura që, sipas tij, janë të krahasueshme me shtetet më të pasura të kontinentit.
“Për një shoqëri ku paga mesatare mezi kalon 500 euro, importimi i një veture të sigurt nuk është më një transaksion normal tregtar, por një ndëshkim nga shteti”, shprehet Rashiti.
Sipas tij, mërgata – e cila mban gjallë ekonominë e vendit – po përballet me barriera fiskale të pajustifikueshme sa herë që tenton të importojë vetura të përdorura.
“Shteti merr deri në 45 për qind të vlerës së veturës”
Rashiti sjell si shembull konkret një Mercedes-Benz GLC, dizel, viti 2016, me motor 2.1 litra dhe vlerë doganore 22 mijë euro. Ai thotë se për ta zhdoganuar këtë veturë, qytetari duhet të paguajë gati 10 mijë euro taksa.
“Si mund të arsyetohet që shteti të marrë rreth 45 për qind të vlerës së një malli të konsumit të gjerë?”, pyet ai, duke shtuar se në asnjë vend tjetër evropian qytetari nuk detyrohet të punojë rreth 20 muaj vetëm për të paguar taksat e një veture të përdorur.
Akuzë për “taksë kaskadë” dhe shkelje të drejtësisë fiskale
Deputeti shqiptar në Zvicër kritikon ashpër mekanizmin e llogaritjes së TVSH-së, duke u ndalur te Neni 26 i Ligjit Nr. 05/L-037 për TVSH-në, i cili parashikon që TVSH-ja të llogaritet mbi totalin e vlerës, përfshirë doganën dhe akcizën.
“Në praktikë, kjo do të thotë që qytetari paguan TVSH edhe mbi paratë që tashmë ia ka paguar shtetit. Kjo është ‘taksa mbi taksë’ dhe nuk ka asnjë justifikim ekonomik”, vlerëson Rashiti.
Ai sqaron se, në rastin konkret, përveç doganës prej rreth 2,200 eurosh dhe akcizës prej 2,600 eurosh, qytetari paguan edhe rreth 864 euro TVSH shtesë, të llogaritura mbi këto taksa.
“Pragu i 2000 kubikëve është arkaik”
Rashiti e quan të vjetruar edhe politikën e akcizës që penalizon veturat mbi 2000 kubikë, duke theksuar se motorët 2.2 litra dizel nuk përbëjnë luks.
“Një veturë 2.2 litra nuk është jaht. Është mjet i domosdoshëm për familjet kosovare, sidomos për kushtet e rrugëve tona”, thotë ai, duke paralajmëruar se kjo politikë po i shtyn qytetarët drejt veturave më pak të sigurta.
Thirrje për reformë urgjente
Në përfundim, Rashiti u bën thirrje institucioneve që të mos kërkojnë investime nga diaspora, ndërkohë që, sipas tij, ajo “plaçkitet në kufi”.
“Nuk mund të flisni për mbështetje të familjeve të varfra, duke mbajtur në fuqi një sistem doganor grabitqar”, thekson ai.
Ai kërkon ndryshime të menjëhershme ligjore, në veçanti heqjen e praktikës së “taksës mbi taksë”, duke insistuar që TVSH-ja të llogaritet vetëm mbi vlerën reale të veturës, në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë fiskale.