Ymeri kritikon ashpër Ramën dhe lavdëron Kurtin për ndershmëri

Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Pas certifikimit të rezultateve, pritet të fillojnë procedurat për krijimin e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e ardhshme nuk do të jetë identike me emrat e prezantuar më parë.

 

Prof. Dr. Eshref Ymeri, në një prononcim për “Bota Sot”, vlerëson se Kryeministri Kurti do të përzgjedhë ministra me standarde të larta, duke u fokusuar te intelektualët dhe njerëzit me integritet kombëtar, të cilët nuk tolerojnë korrupsionin dhe tradhtinë ndaj interesave të vendit.

 

Ai e sheh Kurtin si një udhëheqës të ndershëm dhe të respektuar nga shumica e popullit të Dardanisë.

Në kontrast, Ymeri kritikon ashpër kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke e cilësuar si një udhëheqës të korruptuar dhe të pandershëm, duke u mbështetur në analizën e Prof. Dr. Enver Bytyçit, si një udhëheqës të korruptuar dhe të pandershëm, duke u mbështetur te analiza e Prof. Dr. Enver Bytyçit.

 

“ Përderisa Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se përbërja e Qeverisë së ardhshme nuk do të jetë identike me emrat e prezantuar më herët, kjo do të thotë se kriteret për përzgjedhjen e ministrave të rinj ai i ka fort të rrepta. Domosdo, se ai, si një personalitet emblematik në krye të qeverisë, si një kryepolitikan që nuk e njeh zejen e hajnisë, zejen e korrupsionit dhe zejen e tradhtisë së interesave kombëtare në përballjen me Serbinë fashiste, është i vendosur që qeveria të përbëhet nga intelektualë me profil të lartë kombëtarë. Është fat i madh për Republikën e Dardanisë që drejtohet nga Kryeministri Albin Kurti, i cili, me korrektesën dhe me ndershmërinë shembullore, ka fituar simpatinë dhe respektin e thellë të shumicës dërrmuese të popullit dardan. Pikërisht nga kjo shumicë dërrmuese duhet të marrë shembull populli shqiptar i atdheut amë, Shqipërisë, i cili i ka lejuar vetes të bjerë në kënetën e mashtrimit të kryeqeveritarit Rama, me pazaret e pista të shitblerjes së votës, një kryqeveritar ky, i cili është faqja më e zezë në historinë e mbarë kombit shqiptar. Skanerin më të shkëlqyer këtij kryeqeveritari faqezi ia ka bërë Prof.dr. Enver Bytyçi, në analizën me titull “Mercenari, banditi dhe rrugaçi më i madh i këtij vendi është vetë Ramaduro!”, të botuar në Portalin “Bota Sot” të datës 25 janar 2026”, është shprehur Ymeri.

Ymeri thekson se Kryeministri Albin Kurti kërkon që lufta kundër korrupsionit të fillojë nga vetë qeveria dhe administrata shtetërore, duke përfshirë ministritë, drejtësinë, rendin dhe diplomacinë, sepse populli i Dardanisë i vë gjithmonë nën vëzhgim zyrtarët dhe nuk lejon abuzime.

“Që të luftohet korrupsioni në Republikën e Dardanisë, Kryeministri Albin Kurti është i bindur se shembullin e ndershmërisë duhet ta japin të parët anëtarët e qeverisë dhe të gjithë ata nëpunës që punojnë në administratë – në ministri të ndryshme, në organet e vetëqeverisjes lokale, në organet e drejtësisë, në organet e ruajtjes së rendit, deri në përfaqësitë diplomatike. Kryeministri Albin Kurti është i bindur se syrit të popullit dardan nuk i shpëton dot asnjë i punësuar në hierarkinë shtetërore, nëse merret me korrupsion, duke fillur nga pushteti lokal deri në postet ministrore, sepse populli i thjeshtë shërben gjithmonë si një “kamerë e fshehtë” për çdo të punësuar”, ka përfunduar Ymeri.