Mediumi Italian e zbulon se pse Spalletti e futi Zhegrovën në lojë në vend të Conceicaos në ndeshjen Juventus–Lazio

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ishte i detyruar të ndryshonte planin e tij gjatë pushimit të pjesës së parë në ndeshjen e Serie A ndaj Lazios, të zhvilluar të dielën mbrëma në Allianz Stadium, e cila u mbyll 2-2.

 

Bardhezinjtë e mbyllën pjesën e parë në disavantazh 1-0 pas golit të Pedros, ndërsa Spalletti kishte vendosur të bënte një ndryshim ofensiv për të reaguar në pjesën e dytë.

Fillimisht, strategu italian kishte planifikuar ta largonte nga loja mbrojtësin e krahut Juan Cabal dhe në vend të tij të fuste anësorin portugez Francisco Conceicao, i cili u pa duke marrë udhëzime të detajuara nga stafi teknik gjatë nxehjes në pushimin mes pjesëve, shkruan Footbal Italia.

 

Megjithatë, situata ndryshoi në momentet e fundit, pasi Conceicao ndjeu shqetësime në gju gjatë nxehjes. Stafi mjekësor dhe teknik i Juventusit vendosën të mos e rrezikonin lojtarin portugez për pjesën e dytë, duke marrë parasysh gjendjen e tij fizike.

Si pasojë, Spalletti u detyrua të ndryshonte zgjedhjen dhe vendosi ta aktivizonte Edon Zhegrovën, i cili hyri në lojë në vend të Juan Cabal për fillimin e pjesës së dytë.

Ndeshja u komplikua më tej për Juventusin, pasi Lazio realizoi edhe golin e dytë me Gustav Isaksen, por reagimi i vendasve erdhi më vonë.

Weston McKennie ngushtoi rezultatin pak para minutës së 60-të, ndërsa Pierre Kalulu shënoi golin e barazimit dramatik vetëm 15 sekonda para fillimit të kohës shtesë, duke shpëtuar një pikë për bardhezinjtë.

Ndryshimi i detyruar nga Spalletti dhe aktivizimi i Zhegrovës në vend të Conceicaos u bë kështu një nga momentet më të diskutuara të mbrëmjes në Torino, me kosovarin që bëri një paraqitje solide.