Veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur rreth deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili njoftoi gjatë javës së kaluar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në vend do të hyjë në fuqi në dhjetor të këtij viti ose në mars të vitit 2027.
Ai është shprehur kundër këtij shërbimi, duke përmendur thirrjet e vazhdueshme nacionaliste si asimilimi dhe pastrimi etnik i shqiptarëve, linqimi, vrasjet dhe dëbimet.
“Vërtet, është kuptuar nga media të besueshme se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në vitin që sapo kemi hyrë, duke filluar nga muaji mars apo dhjetor, do të fillojë ligjërisht zbatimin e rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Kur kujtojmë kohën, në një periudhë kur shqiptarët në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), në vitet ’80, përballeshin me diskriminim, mospërfaqësim proporcional me numrin e ushtarëve shqiptarë, mosavancim dhe stigmatizim të hapur; kur vrasjet dhe vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë kësaj periudhe, nuk patën asnjë ndriçim në zbardhjen e rasteve, të regjistruara si ‘vetëvrasje’, ‘aksidente’ apo ‘shkelje disiplinore’, dhe u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, si raste me motive etnike dhe politike.
Pas luftërave të përgjakshme në ish-hapësirat jugosllave, veçmas pas masakrave dhe gjenocidit të ushtruar në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku ende nuk ka ndodhur asnjë kërkimfalje apo distancim nga ajo politikë e dëbimit, masakrave dhe gjenocidit, tani, pas jo më shumë se tri dekadash, është vështirë të pranohet rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi për gjithë shtetasit jo serbë, posaçërisht për ne si nacionalitet autokton dhe etnik në Serbi.
Ne, shqiptarët që jemi shumicë në rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, pa harruar shqiptarët në Sanxhak dhe gjithëandej Serbisë e Vojvodinës, shumë vështirë e kemi të shërbejmë në një ushtri, pasi vazhdimisht kryeministri, presidenti, kryetari i Parlamentit, ministrat e Qeverisë së Serbisë, liderë partish dhe media nacionale, si dhe instanca e qarqe më të larta të Serbisë, publikisht bëjnë thirrje përmes programeve nacionaliste si ‘Bota Serbe’, me tendenca për shpërngulje, asimilim e pastrim etnik të shqiptarëve, për linqim, vrasje e dëbim, proklamojnë luftë kundër nesh shqiptarëve, nxisin përdorimin e gjuhës së urrejtjes, shkruajnë grafite antishqiptare dhe pankarta me përmbajtje raciste, instalojnë frikë e pasiguri dhe dominojnë ksenofobia — jo vetëm në Qeveri, Parlament e Presidencë, por edhe në Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë e Shkencave të Serbisë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Hasani ka zbuluar se cilat janë qëllimet e Vuçiqit dhe shtetit serb.
ImageVeprimtari nga Bujanoci, Refik HasaniFoto galeri
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dëshiron që përmes rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak të arrijë disa qëllime: në radhë të parë të përpiqet të dominojë si forcë ushtarake në hapësirat e RSFJ-së, veçmas të ruajë dominimin në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Qëllimi i Serbisë është të krijojë perceptimin para ish-republikave dhe krahinave të ish-Jugosllavisë, tani shtete të pavarura, se Serbia është një forcë ushtarake, sikur dikur Ushtria e Jugosllavisë. Kjo dëshmohet edhe nga paralelja me Rusinë, e cila bëri invazion ushtarak mbi Ukrainën. E përbashkëta është se si Rusia e sotme, ashtu edhe Serbia, dëshirojnë të rikthejnë famën e ushtrive të mëparshme të federatave të tyre”, ka deklaruar ai.
Tutje, ai ka treguar se çfarë pritet të ndodhë me shqiptarët, sidomos me të rinjtë, nëse rikthehet shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
“Me rikthimin e këtij shërbimi, të rinjtë shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, por edhe gjithëandej Serbisë, hyjnë në një fazë të re rrezikshmërie. Sapo mbushin 18 vjeç, përballen me diskriminim përmes pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, me mungesë të përdorimit të gjuhës shqipe, të simbolit kombëtar, mungesë investimesh dhe përfaqësimi, mungesë perspektive, mosnjohje diplomash nga Kosova dhe mungesë universiteti në gjuhën shqipe. Tani edhe shërbimi ushtarak bëhet arsye tjetër për shpërngulje.
Si ka mundësi, kur nuk ka përfaqësim në gjykata, prokurori, gjeodezi, kadastër, administratë tatimore, dhe mungon përfaqësimi proporcional në zinxhirin komandues të policisë, të pranohet shërbimi në një ushtri ku ka zero oficerë shqiptarë?Të rinjtë shqiptarë do ta kujtojnë se kjo ushtri ka zhvilluar luftëra, ka shkaktuar shkatërrime dhe ka kryer gjenocid në Ballkan — si mund ta veshin uniformën e saj?”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Hasani ka folur për lidhjen e këtij vendimi me situatën gjeopolitike dhe marrëdhëniet me Kosovën e fqinjët:
“Rikthimi i shërbimit ushtarak lidhet edhe me situatën gjeopolitike, por Serbia synon të forcohet ushtarakisht dhe të ruajë unitetin territorial, duke mos lejuar shkëputjen e Vojvodinës dhe duke injoruar referendumet e Krahinës Shqiptare (1–2 mars 1992) dhe Sanxhakut (25–27 tetor 1992).”
Në fund, Hasani thekson rrezikun për identitetin kombëtar:
“Identiteti kombëtar i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc mbetet tejet i rrezikuar. Rikthimi i shërbimit ushtarak do të shtojë presionin dhe do të nxisë shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë. Serbia dëshiron të krijojë pakënaqësi jo vetëm tek shqiptarët, por edhe tek hungarezët, bullgarët, boshnjakët, rumunët dhe pakicat e tjera.
Si mund të jenë pjesë e këtij shërbimi, kur asnjë marrëveshje nga vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022 nuk është zbatuar?”, ka përfunduar Hasani.