Gjatë prime-it të fundit të Big Brother VIP, shumë ndjekës vunë re një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si Top Channel dhe opinonistët u sollën ndaj Rogertit, pavarësisht gjuhës së ashpër dhe debateve të forta që ai ka pasur me banorët e tjerë.
Ndryshe nga një prime më parë, ku kritikat ndaj tij ishin të forta dhe ku u la të kuptohej se “dera ishte aty”, këtë herë qasja ndaj Rogertit rezultoi dukshëm më e butë, çka ngriti pikëpyetje te publiku: çfarë ndryshoi?
Sipas informacioneve që qarkullojnë në prapaskenë, Rogerti lidhet me një nga familjet më të njohura dhe me ndikim në Shkodër dhe Malësinë e Madhe, familjen Sterkaj. Ai përmendet si i afërm i ish-deputetit Paulin Sterkaj, një emër i njohur në politikë dhe biznes.
Burime jozyrtare pretendojnë se kjo familje ka pasur ndër vite ndikim të fortë politik dhe lokal, duke luajtur rol në përfaqësimin parlamentar dhe administrimin vendor në Malësinë e Madhe. Pikërisht ky ndikim thuhet se ka ngritur shqetësime brenda mediave, për mënyrën se si trajtohet figura e Rogertit në ekran.
Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, mesazhi i përcjellë ka qenë që trajtimi i Rogertit të jetë i njëjtë me atë të banorëve të tjerë, pa tone të ashpra apo qëndrime të njëanshme nga opinionistët apo moderatori.
Pas këtyre zhvillimeve, vëzhguesit kanë vënë re se qëndrimi i Top Channel ndaj Rogertit ka ndryshuar, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta dhe gjuhën e ashpër që u vu re në prime-et e mëparshme – situatë që, sipas ndjekësve, i kishte dalë jashtë kontrollit edhe vetë moderatorit Ledion Liço.
Mbetet për t’u parë nëse ky trajtim do të vazhdojë edhe në javët në vijim, apo nëse dinamika e lojës do të rikthejë përplasjet që e kanë bërë Rogertin një nga figurat më të komentuara të këtij edicioni.