Ishulli grek ofron bonuse për mjekët që shkojnë të punojnë aty

Ishulli grek Kythnos ka nisur një skemë të re financiare për të tërhequr mjekë, pasi prej vitesh po përballet me mungesa të vazhdueshme të personelit shëndetësor.

Plani parashikon një bonus prej 1,000 euro në muaj për një pediatër dhe për një mjek të mjekësisë së brendshme, që vendosin të punojnë në sistemin shëndetësor lokal. Qëllimi është të përmirësohet qasja e banorëve në shërbime bazë, pas një periudhe të gjatë me mbulim të kufizuar në shërbime kritike.

Kryebashkiaku i Kythnos, Stamatis Garderis, tha për transmetuesin publik grek se iniciativa ka tërhequr vëmendje dhe se kanë mbërritur aplikime nga mjekë të interesuar, të cilat tashmë po shqyrtohen.

Sipas tij, mungesat kanë ndikuar drejtpërdrejt familjet në ishull. Kur fëmijët sëmuren, banorët shpesh nuk gjejnë mjek në dispozicion dhe detyrohen të udhëtojnë drejt Athinës për kujdes shëndetësor. Kjo lëvizje jo gjithmonë është e lehtë, pasi varet nga oraret e trageteve, që mund të jenë të rralla. Aktualisht, një pediatër raportohet se shkon në Kythnos vetëm dy herë në muaj, duke lënë periudha të gjata pa shërbim të qëndrueshëm.

Përtej shëndetësisë, drejtuesit vendorë po përgatisin masa të ngjashme edhe për arsimin. Kryebashkiaku bëri të ditur se pas miratimit të buxhetit të ri të bashkisë, pritet të prezantohen stimuj financiarë edhe për mësuesit, me synim plotësimin e boshllëqeve në stafet e arsimit bazë dhe të mesëm.

Autoritetet lokale vlerësojnë se mbështetja e drejtpërdrejtë financiare mund të shërbejë si instrument praktik për të sjellë profesionistë në komunitete të largëta, ku shërbimet publike janë më të vështira për t’u mbajtur funksionale. Kythnos synon që, përmes kësaj qasjeje, të forcojë shërbimet thelbësore dhe të përmirësojë jetën e përditshme të banorëve të përhershëm.