Gërhitja te fëmijët, a është një sinjal që nuk duhet nënvlerësuar?

Në përfytyrimin popullor, gërhitja e bezdisshme gjatë natës lidhet kryesisht me botën e të rriturve: duhanpirës, persona mbipeshë apo gjyshër që dremisin në kolltuk, shkruan salute.eu.

Megjithatë, ky problem nuk kursen as fëmijët. Ai mund të shfaqet që në moshë shumë të hershme, nga foshnjat 6–8 muajshe e deri te adoleshentët.

Po pse gërhijnë fëmijët?

“Sipas përvojës sonë, shkaku pothuajse asnjëherë nuk lidhet me stilin e jetesës, siç ndodh shpesh te të rriturit, por me probleme që kanë të bëjnë me hapësirën e rrugëve të frymëmarrjes dhe procesin e rritjes”, shpjegon Giovanni Cristalli, shef i Njësisë së Otorinolaringologjisë në Spitalin Pediatrik Bambino Gesù në Romë.

Ai thekson se gërhitja nuk është thjesht një shqetësim zhurmash, por mund të ndikojë ndjeshëm në cilësinë e jetës së fëmijës. “Prindërit mund ta kuptojnë problemin duke vërejtur disa shenja tipike”, shton Cristalli.

Shenja e parë është frymëmarrja me gojë, ku fëmija e mban shpesh gojën gjysmë të hapur. Më pas vërehet zëri nazal, rrathët e errët nën sy dhe ndjenja e lodhjes. Ndryshe nga të rriturit, të cilët zakonisht janë të përgjumur gjatë ditës, fëmijët që flenë keq priren të jenë të shqetësuar, të pavëmendshëm dhe mund të hasin vështirësi në të nxënë në shkollë, përfundon eksperti.