Tuneli i Murrizit, pjesë kyçe e Rrugës së Arbrit, po shfaq dëmtime serioze strukturore, me plasaritje dhe çarje betoni në segmentin qendror. Një fakt alarmues për një vepër publike që ka kushtuar miliona euro dhe ende nuk garanton siguri.
Justifikimi i kompanisë ndërtuese se dëmtimet vijnë nga punimet në tunelin e emergjencës është alibi e papranueshme. Nëse ndërhyrjet teknike dëmtojnë tunelin kryesor, atëherë kemi projektim të gabuar, zbatim të dobët dhe mungesë totale kontrolli shtetëror.
Deklaratat se “nuk ka rrezik për qarkullimin” janë propagandë e njohur. Devijimi i trafikut në tunelin e emergjencës e pranon vetë problemin dhe rrëzon çdo pretendim sigurie.
Tuneli i Murrizit është kthyer në simbol të dështimit, vonesave, kostove të fryra dhe dyshimeve serioze për korrupsion, ku paratë publike janë betonuar keq, ndërsa përgjegjësia mungon.
Shqiptarët meritojnë transparencë, hetim dhe llogaridhënie, jo justifikime.