Eksperti serb i sigurisë: Rusia e njeh Kosovën shtet, madje pa fusnotë

Eksperti serb për siguri dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Orhan Dragash, në një shkrim për Euractiv ka thënë se tashmë Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, e konsideron Kosovën shtet të pavarur.

Kjo për faktin se Kosova është në listën e shteteve, qytetarët e të cilave shkuan të luftojnë në Ukrainë së bashku me Poloninë, Britaninë, Amerikën dhe rreth gjashtëdhjetë vende të tjera të cilat janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Serbia nuk është në listë, as si shtesë apo shpjegim për emrin e Kosovës, as me fusnotë madje”.

Sipas Dragashit, kjo nuk është hera e parë që Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e trajton Kosovën me respekt maksimal, bash ashtu siç e meriton një shtet i njohur ndërkombëtarisht.

“Në fillim të agresionit rus kundër Ukrainës, prapa zëdhënësit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralit Igor Konashenkov, në konferencat e tij ishte një hartë e Evropës Lindore me kufijtë e përcaktuar qartë të Kosovës si shtet më vete”, shkruan Dragash.

Ai argumenton se këto “gabime” të Ministrisë janë “vazhdimi i një liste të gjatë veprimesh, duke përfshirë deklaratën e lidershipit më të lartë politik, që tregon se Moska e konsideron Kosovën një shtet të pavarur, sidomos kur dëshiron të përfitojë nga një qëndrim i tillë, në favor të pushtimeve të saj territoriale”.

Tutje, ai theksoi se identifikimi i Kosovës me Donetskun dhe Luhanskun ka qenë tronditje për Serbinë dhe diplomatët rus e dinin këtë.

“Këto veprime nuk janë rastësi”, sipas ekspertit serb.

“Nuk ishte rastësi që Vladimir Putin pati një bisedë të përzemërt me Hashim Thaçin në Paris për të përkujtuar 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dy duke u paraqitur si të barabartë. Nuk ishte rastësi kur njeriu i parë i Federatës Ruse të Futbollit, Aleksandr Avdeyev, uroi kolegun e tij kosovar Agim Ademi për marrjen e detyrës me mesazhin se Kosova “mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Federatës Ruse të Futbollit në të gjitha çështjet e futbollit”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Dragash vlerëson se Rusia është vendi më afër njohës së Kosovës, sepse Rusia ka arsye për ta bërë një gjë të tillë.

“Në Perëndim, shumë sy përqendrohen te pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës (Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro). Por vendi më afër njohjes së Kosovës nuk është asnjëra prej tyre, por Rusia. Asnjëra prej tyre nuk ka arsye të reja për ta njohur Kosovën, por Rusia ka”.

Për të, njohja e Rusisë do të vije shumë më shpejtë së pesëshja e BE-së që “refuzon” ta njoh shtetin e pavarur të Kosovës.

Në fund, duke përdorur një metaforë, ai shkroi se Serbia është humbësja më e madhe në këtë mes.

“Ashtu si gruaja e një abuzuesi të dehur që nuk do ta divorcojë dhe nuk do ta denoncojë burrin për abuzim, sepse ai është i mirë kur nuk pi”.

“Fatkeqësisht, varrezat janë plot me gra të tilla”, përfundoi ai.