Tetë persona janë vënë në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në një aksion kundër mashtrimeve me call center.
Si pasojë e këtij operacioni janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë për mashtrim kompjuterik, ndërsa janë kontrolluar edhe 28 ambiente: banesa, automjete, zyra, garazhde etj.
Hetimet nisën më datë 9 janar pasi në Byronë Kombëtare të Hetimit u paraqitën disa gazetarë italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, të cilët gjatë një hulumbimi kishin identifikuar një call center në Tiranë që mashtronte italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.
Drejtuesit e aktivitetit kriminal kishin ngritur një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Po ashtu, për shkak të njoftimit nga ana e këtyre të fundit, brenda natës është boshatisur ambienti ku ishte ngritur call center-i, për ta zhvendosur në një godinë tjetër. Por gjithçka u zbulua nga hetimet, duke goditur grupin në fjalë.
Emisioni investigativ “Piranjat” ka publikuar edhe fotot e personave që mashtronin qytetarët italianë.
“Këta janë personat që mashtronin qytetarët italianë në Call Centerin e goditur dy ditë më parë nga drejtësia, pas një investigimi që ishte fryt i bashkëpunimit mes emisionit Le Iene dhe emisionit Piranjat”, shkruan emisioni investigativ në rrjetet sociale.