Pas njoftimit të Bashkimit Evropian se në muajin janar do të nisë heqja graduale e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, janë rihapur debatet nëse këto sanksione ishin të padrejta që në fillim dhe nëse qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për shtrirjen e sovranitetit në veri ishte i drejtë.
Vendimi i fundit i Brukselit po shihet nga njohës të zhvillimeve politike si një pranim indirekt i gabimeve të BE-së dhe një dështim i politikës së tolerimit ndaj Serbisë.
Profesori Enver Bytyçi vlerëson se heqja e masave nuk është rezultat i një ndryshimi të sjelljes së Kosovës, por pasojë e rrethanave të reja politike dhe e faktit se masat ndaj Prishtinës kanë qenë të padrejta dhe të motivuara politikisht.
Sipas Bytyçit, paralajmërimi për heqjen e masave është bërë që në muajin dhjetor, gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në Bruksel, ku ishte e pranishme edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Në atë samit u njoftua se masat shtrënguese ndaj Kosovës do të hiqen. Presidentja Osmani bëri gjithçka që ishte e mundur për ta përshpejtuar këtë vendim, duke argumentuar pse masat ishin vendosur padrejtësisht dhe pse duhej të hiqeshin sa më shpejt”, thekson Bytyçi.
Ai shton se si presidentja Osmani, ashtu edhe kryeministri Kurti kanë lobuar vazhdimisht për heqjen e masave, ndërsa tani vendet anëtare të BE-së duket se kanë arritur konsensus për këtë çështje.
Bytyçi rikujton se masat ndaj Kosovës u vendosën në një periudhë tensioni mes qeverisë Kurti dhe diplomacisë evropiane, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk aplikuan asnjë masë ndëshkuese, duke u mjaftuar vetëm me kritika verbale.
“Kurti nuk është revoltuar dhe nuk është ankuar vazhdimisht për masat. Ai thjesht ka thënë se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen. Dhe realisht ishin të padrejta e kontradiktore”, vlerëson Bytyçi.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nga njëra anë e konsideronte Kosovën shtet të pavarur dhe kërkonte shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin, ndërsa nga ana tjetër e ndëshkonte financiarisht pikërisht pse po vepronte për këtë qëllim.
“Ky ishte një kurth evropian për Kosovën. Ishte koha kur Brukseli dhe Uashingtoni po përpiqeshin ta mbanin Serbinë nën ombrellën perëndimore, duke besuar se Aleksandër Vuçiq mund të largohej nga Moska dhe të afrohej me Perëndimin. Kurti ua tha qartë: ‘Mos u lodhni, Vuçiq nuk ndryshon’”, thekson Bytyçi.
Ai përmend edhe rolin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas tij kishte bindur disa liderë evropianë se Vuçiq kishte vullnet për bashkëpunim me Perëndimin, gjë që u dëshmua se ishte iluzion.
Sipas profesorit, heqja graduale e masave tregon qartë se ato nuk u vendosën për shkak të fajit të Kosovës, por si pjesë e një konjukture të caktuar politike.
“Masat ishin të parapërgatitura. Qeverisë së Kosovës iu kërkua të zhvillonte zgjedhje në katër komunat veriore pa Listën Serbe dhe më pas iu kërkua të mos i certifikonte ato. U krijua vetë alibia për ndëshkimin e Kosovës”, shprehet ai.
Bytyçi vlerëson se heqja e masave i jep të drejtë të plotë qëndrimeve të kryeministrit Kurti për shtrirjen e sovranitetit në veri.
“Koha dëshmoi se vendimet e qeverisë së Kosovës ishin efektive dhe krijuan më shumë stabilitet. Masat u vendosën në korrik 2023, ndërsa në shtator ndodhi akti terrorist në Banjskë, i cili duhej t’i kishte rrëzuar plotësisht ato masa. Por Brukseli nuk reagoi”, thekson ai.
Sipas Bytyçit, një faktor kyç që çoi në ndryshimin e qëndrimit të BE-së ishte vetë Serbia dhe presidenti i saj.
“Vuçiq në vend që t’u dëshmonte evropianëve se është aleat i tyre, u lidh edhe më fort me Rusinë dhe Kinën. BE-ja e kuptoi se nuk ka më asnjë shans që ai të mbajë fjalën, prandaj edhe ndryshoi kurs”, përfundon profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.