Banorët e Grenlandës po shprehin shqetësim dhe pasiguri për të ardhmen, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar se Shtetet e Bashkuara mund ta marrin ishullin “në rrugën e lehtë ose në rrugën e vështirë”.
Në kryeqytetin Nuuk, ku dimrat e ashpër dhe stuhitë e borës janë pjesë e jetës së përditshme, këto deklarata kanë sjellë një lloj tjetër ankthi. Simone Bagai, mësuese e shkollës së mesme, tha se komentet e Trump tregojnë, sipas saj, “mungesë të plotë të të kuptuarit të të drejtave kushtetuese dhe integritetit moral”.
“Grenlanda është për popullin e Grenlandës,” tha ajo, duke shtuar se banorët e ishullit e kanë bërë të qartë në mënyra të shumta se nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e SHBA-së, shkruan CNN.
Shqetësime të ngjashme shprehu edhe Ludvig Petersen, një inxhinier bashkiak në Nuuk. Ai tha se ideja e anëtarësimit në SHBA e frikëson, veçanërisht për shkak të privatizimit të kujdesit shëndetësor dhe arsimit. “Nuk është diçka me të cilën jemi mësuar,” tha ai.
Petersen shtoi se, megjithëse përpiqet të kuptojë logjikën e Trump, deklaratat e përsëritura se SHBA-të “do të bëjnë diçka në Grenlandë, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo”, e kanë bindur se rreziku i një përshkallëzimi është real. Ai vuri në dukje se SHBA-të tashmë kanë pasur dhe kanë ende të drejta mbi baza ushtarake në Groenlandë, duke pyetur pse bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë pa cenuar sovranitetin e ishullit.
Ndërkohë, ndryshimet klimatike po e vështirësojnë edhe më tej jetën e shumë banorëve, veçanërisht komuniteteve Inuit. Një shofer taksie në Nuuk tregoi se si shkrirja e akullit e ka detyruar të braktisë mënyrën tradicionale të jetesës si gjuetar fokash, duke u zhvendosur drejt qytetit për të mbijetuar.
Ai tha se beson që Trump nuk e kupton realitetin e jetës në Groenlandë. “Ne nuk duam që Amerika të marrë përsipër Grenlandën,” tha ai shkurt.
Sondazhet tregojnë se mbi 85% e groenlandezëve mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por shumë prej tyre janë të vetëdijshëm se vetëqëndrueshmëria do të jetë e vështirë dhe se aleatët ndërkombëtarë do të mbeten të rëndësishëm, shkruan CNN.