Shumë qytetarë serbë të veriut të Mitrovicës, pronarë të automjeteve të cilat i kanë regjistruar kohë më parë me targa të Republikës së Kosovës, po ndihen të kërcënuar për shkak se gjatë dy netëve të fundit dikush po iu vendos letra ngjitëse me targa të Serbisë automjeteve të tyre, duke i mbuluar kështu ato të Kosovës me akronimin RKS.
Një qytetar serb, afarist i njohur në veri të Mitrovicës, i cili foli për KosovaPress (emër i njohur për redaksinë), tha se gjatë ditës së djeshme e kishte sjell automjetin e tij të markës “Mercedes-Benz S class” në jug të Mitrovicës për shkaqe sigurie.
“Mua personalisht nuk më ka ndodhur, por shumë qytetarëve të cilët i njoh, iu kanë vënë letra me targa të Serbisë mbi ato të Kosovës. Mendoj se ky është paralajmërim kërcënues për të gjithë ata të cilët vendosin t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa RKS. Po, unë ka kohë që e kam regjistruar automjetin me targa RKS, sepse qarkulloj në mbarë territorin e Kosovës dhe nuk kam asnjë problem. Dje e kam sjellë automjetin në jug të Mitrovicës, përkatësisht në një parking dhe do ta lë aty deri sa të jetë e nevojshme. Më mirë të paguaj 30 euro në muaj sesa të ma thyejnë automjetin në veri”, tha ai.
Shqetësime të ngjashme kishin edhe shumë serbë të tjerë, pronarë të automjeteve me targa RKS, por që nuk pranuan të flasin para kamerës.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka bërë të ditur se policia është duke u marrë me këto raste.
“Policia është njoftuar dhe po punon intensivisht në këtë drejtim, ndërsa deri tani nuk kemi arritur të identifikojmë ndonjë të dyshuar rreth kësaj çështjeje”, ka thënë shkurt togeri Radoviq.