Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, ka thënë se Kosova nuk ka pasur kurrë relacione më të ftohta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa tani.
Ai në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini potencoi se Qeveria Kurti i ka lënduar këto relacione.“Prej kur Kosova ka filluar aktivitetin për çlirim prej Serbisë kurrë relacioni me SHBA-në nuk ka qenë më i ftohtë. Mendoj se Qeveria Kurti nuk i ka dëmtuar këto relacione, por i ka lënduar.
Lëndimi mund të shndërrohet në infektim e infektimi mund të jetë shumë i rrezikshëm për Kosovën”, ka thënë ai.“Pse ka ardhur deri këtu, arsyet janë të shumta. Kurti dhe Qeveria e tij kanë punuar intensivisht, negativisht në relacion me SHBA-në”, shtoi Krasniqi.Krasniqi shtoi se kryeministri Albin Kurti ka krijuar bindje se Kosova duhet të afrohet më shumë me Evropën, me Gjermaninë më specifikisht.“Albin Kurti ka krijuar një bindje se Kosova duhet të afrohet me Evropën dhe Gjermaninë, por realiteti është krejt ndryshe, Amerika është vendi që e ka bombarduar Serbinë dhe e ka bërë pavarësinë e Kosovës”, tha ai.Sipas tij, Gjermania është mik i Kosovës, por nuk ka fuqi politike, dhe se nuk po mundet as t’i liberalizojë vizat.
Ai theksoi se nuk e sheh Evropën si shpëtimtare të Kosovës.
“Relacioni i Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan me Amerikën është i shenjtë, me Evropën është i nevojshëm. Nuk e shoh Evropën si shpëtimtare të Kosovës e çështjes shqiptare në Ballkan”, shtoi më tej Krasniqi.Krasniqi foli edhe për projektin e gazsjellësit që u refuzua nga Qeveria Kurti.“Fondet që i ka ndarë MCC kanë qenë për investime serioze në energji e janë shndërru në bateri”, tha ai.