Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të armiqësohet me SHBA-në

Eksperti i politikës së jashtme, Edward Joseph, i ka cilësuar si të gabuara pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik nga ana e SHBA-së dhe ato që i ka cilësuar provokime nga ana e Kosovës.

Derisa ka komentuar marrëdhëniet mes dy shteteve, Joseph ka thënë se asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me SHBA-në. Ai ka rikonfirmuar atë që tha në Komitetin për Punë të Jashtme për kryeministrin Kurti.

“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë të enjten Edward Joseph, ligjërues në universitetin “Johns Hopkins” në SHBA.

Joseph, i cili ka qenë pjesë e diskutimit të ditës së martë në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka rikonfirmuar atë që tha se kryeministri Kurti shihet si pengues nga burokratët e DASH-it.

Ai për kohën tha se prova e fundit ishte pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik, për të shtuar se e ka cilësuar si të gabuar pezullimin e tij nga ana e SHBA-së.

“Në rregull, së pari më lejoni të them se ishte një nder të ftohesha të dëshmoja dje para këtij nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për seancën dëgjimore të çështjeve të jashtme. Kjo është një seancë dëgjimore shumë e rëndësishme dhe mund të shihnim se kishte interes të madh për Ballkanin si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët në atë komision. Së dyti, dua të them këtë, se Kosova do të mbajë zgjedhje më vonë këtë muaj dhe nuk dua të ndërhyj në ato zgjedhje me komentet e mia. Së treti, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, sepse ajo ishte një pyetje e drejtpërdrejtë nga kryetari i nënkomisionit, Keith Self i Teksasit. Dhe është e drejtë që ju të pyesni për këtë. Dhe, përgjigjja ishte e qartë. Si mund t’i përgjigjet dikush me “jo” pyetjes nëse Departamenti i Shtetit e sheh kryeministrin Kurti si pengues? Përgjigjja sigurisht është “po”, vetëm sepse i dimë provat. Prova më e fundit ishte pezullimi i Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, që ndodhi në shtator. Ne e dimë nga komentet dhe kritikat e mëparshme dhe sigurisht masat ose sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur mbi Kosovën. Ajo që thashë dhe dua ta theksoj këtë përsëri nuk është ndërhyrje në politikën e brendshme në Kosovë. Interesi im është t’i çoj përpara stabilitetin dhe prosperitetin në rajon, t’i çoj përpara interesat e SHBA-së dhe e bëra shumë të qartë se është gabim të pezullohet dialogu strategjik me Kosovën dhe në të njëjtën kohë të çohet përpara dialogu strategjik me Serbisë, kur shohim incidente që vazhdojnë dhe madje përmenda rrëmbimin e supozuar të qytetarit serb të Kosovës nga veriu i Kosovës.”, tha ai.