TRUST-it i tha “JO” Albini po qëndron në hotelin super-luksoz në Greqi ku çmimet “s’prekin në tokë”…

Në mesin e shumë kritikave e akuzave nga oponentët politik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon qëndrimin që më shumë se një javë në Greqi.

Kurti atje po merr pjesë në simpoziumin “Symi Symposium” që këtë vit zhvillon edicionin e 24-të me radhë. Në të njëjtin eveniment, i pari i qeverisë së Kosovës kishte qëndruar edhe vitin e kaluar e gjithashtu kishte qenë epiqendër e kritikave për kohën e gjatë të cilën e kishte kaluar aty, teksa vendi përballej me kriza të njëpasnjëshme.

E historia duket se po përsëritet. Në mesin e rritjes së rasteve me C0VID-19, në mesin e rritjes enorme të çmimeve në vend, në mesin e një situate të paqartë politike sa i përket dialogut dhe raportit me Serbinë, si dhe në mesin e shumë problematikave tjera, kryeministri Kurti po vazhdon i pashqetësuar qëndrimin në Greqi.

Siç mëson lajmi.net, edhe edicioni i sivjetmë i simpoziumit ku po merr pjesë Kurti po mbahet në Lagonissi të Greqisë. E edhe sivjet, ashtu si vitin e kaluar, simpoziumi po mbahet në resortin super-luksoz në rivierën greke “Grand Resort Lagonissi”.

Se simpoziumi ku po merr pjesë Kurti po mbahet në këtë hotel, e konfirmon edhe një gazetare greke.

Një hotel me pesë yje, “Grand Resort Lagonissi” konsiderohet si njëri prej hoteleve më të mira në rivierën greke.

Mjafton të hedhësh një sy në faqen e rezervimeve në “Booking”, dhe të marësh vesh se dhoma më e lirë në këtë hotel kushton 472 euro, mirëpo nëse në dhomë gjendet vetëm një person.

Për dy persona, një dhomë më e thjeshtë shkon deri në 525 euro, për një natë.

Mirëpo s’ndalet me kaq, suitat me pishina private këtu shkojnë deri në afër 3 mijë euro për një natë.

E kryeministri Kurti po merr pjesë për herë të pestë në këtë simpozium, i cili sipas faqes zyrtare zhvillohet nga 10 deri më 14 korrik.

Vitin e kaluar, kur kryeministri ishte kritikuar për qëndrimin aq të gjatë në rivierën greke, nga qeveria thoshin se shpenzimet hiqen nga organizatori i Simpoziumit.

“Është hera e katërt sivjet që Kryeministri Kurti po merr pjesë te Symi Simpoziumi ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar sikurse sivjet simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit mbulohen nga organizatori i Simpoziumit”, thoshin nga Qeveria vitin e kaluar.

Në të njëjtin simpozium, Kurti së fundmi u takua edhe me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.