Kurti nuk deklarohet për reagimin e ashpër të Ambasadës së ShBA-ve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka refuzuar të deklarohet për reagimin e fundit e të ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për moscertifkimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
SHBA-ta kritikoi ashpër veprimet e VV-së, duke thënë se ato dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat amerikane.

Sipas deklaratës, këto veprime rrezikojnë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet dy shteteve.

Kurti, si në raste të tjera, shmangu pyetjet e gazetarëve dhe u largua pa u përgjigjur për këtë çështje tejet të rëndësishme për momentin në vendin tonë.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Kosovë theksoi se “përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë të pamenduara dhe përçarëse”. Ajo shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.

Po ashtu u tha se, veprimet e tilla minojnë stabilitetin e vendit dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik dhe avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

Në kuadër të kësaj situate edhe Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Gjatë një mbledhjeje të martën pasdite, anëtarët e KQZ-së nuk e certifikuan Listën Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe, njëkohësisht, është e vetmja që e gëzon mbështetjen e Beogradit.

Rekomandimi për certifikimin e saj i mori vetëm 2 vota për, ndërsa 2 anëtarë votuan kundër dhe 7 abstenuan.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër. Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.

Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ, nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan nga votimi.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).