Këngëtarja e madhe shqiptare, Adelina Ismaili, ka shënuar të mërkurën një nga momentet më të veçanta të karrierës së saj, duke mbajtur një koncert recital për 40 vjetorin e karrierës artistike.
Ngjarja u zhvillua në mbrëmje dhe përmbante një repertor të pasur me hitet e saj më të njohura, duke sjellë emocion për fansat e saj që e kanë ndjekur ndër dekada.
Para nisjes së koncertit, Adelina u dekorua nga Presidentja e Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave, një njohje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë. Ky moment i veçantë u prit me emocion nga publiku dhe ishte një përkujtim i merituar për ndikimin e saj në skenën muzikore shqiptare.
Pas ceremonisë, Adelina ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një fotografi të medaljes, duke i kushtuar këtë nder të madh nënës së saj të ndjerë, Monës, e cila ka qenë gjithashtu menaxhere e saj gjatë karrierës.
Në postimin e saj në Facebook, këngëtarja shkroi:“Këtë Medalje të Meritave për art dhe kulturë, ia kushtoj nënës sime – asaj që më lindi, rriti dhe formësoi si artiste. Më mungove shumë mam. Uroj të jesh krenare mes engjëjve. Nga thellësia e shpirtit falenderoj Presidenten time, Presidentën e zemrave tona për këtë nder jetësor”.