1 milion euro shpërblim nëse Kosova kualifikohet në Botëror

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka premtuar 1 milion euro shpërblim në rast se Përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet në Botërorin 2026.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë të enjten, Kurti bëri të ditur se do t’i ndajnë 250 mijë euro për suksesin historik të Kosovës për kualifikim në plejof të Botërorit.

“Në fazën e radhës hyjmë me plotë vetbesim. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim 500 mijë euro. Në rast të kualifikimeve zotohemi për 1 milionë euro shpërblim”, ka thënë Kurti.

Kosova më 26 mars do të luajë në Bratislavë kundër Sllovakisë.

Në rast fitoreje, do ta luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror në Prishtinë me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.

Kurti gjithashtu theksoi se do të ketë shpërblim edhe për arritjet e klubit të futsallit, Prishtina 01, në Ligën e Kampionëve.