PDK insiston për rivotim në Mitrovicë të Jugut, analistët paralajmërojnë rrezikun për cenim të stabilitetit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka intensifikuar kërkesat e saj për rivotim në Mitrovicë të Jugut, duke dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, PDK-ja ka vlerësuar se vendimi i PZAP-së është i gabuar dhe se procesi zgjedhor në këtë komunë është cenuar, duke u shprehur se “vullneti i qytetarëve është ndryshuar”.

Sipas njoftimit, PDK-ja synon që përmes Gjykatës Supreme të arrihet një shqyrtim i plotë i çështjes dhe të merret një vendim që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës së Jugut.

Kjo zhvillim vjen pas përfundimit të procesit të ankesave në PZAP, i cili kishte refuzuar kërkesën e PDK-së për rivotim, duke konfirmuar rezultatet e zgjedhjeve të 17 nëntorit. Vendimi i PZAP-së ishte argumentuar me bazën ligjore dhe procedurale, duke theksuar se nuk janë vërejtur shkelje të cilat mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Jakupi: PDK vazhdon të kontestojë rezultatin pa ofruar asnjë fakt bindës

Analisti politik, Zejnullah Jakupi, thekson se pas rinumërimit në Mitrovicë të Jugut dhe vendimit të PZAP-it, PDK nuk ka paraqitur prova për parregullsi.

Insistimi i saj për rivotim pa bazë ligjore rrezikon besimin në proceset demokratike dhe duket më shumë si përpjekje për të relativizuar humbjen se sa mbrojtje e votës.

ImageZejnullah JakupiFoto galeri
“Pas rinumërimit të votave në Mitrovicë të Jugut dhe vendimit të PZAP-it, i cili konstatoi qartë se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka paraqitur prova që dëshmojnë pretendimet për parregullsi, insistimi i vazhdueshëm i PDK-së për rivotim ngrit pikëpyetje serioze mbi qëllimet dhe motivet e këtij veprimi.

Qytetarët tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike. Procesi i rinumërimit e ka konfirmuar këtë vullnet, ndërsa institucionet e pavarura zgjedhore kanë kryer detyrën me transparencë dhe profesionalizëm. Pavarësisht kësaj, PDK vazhdon të kontestojë rezultatin pa ofruar asnjë fakt bindës – një veprim që rrezikon të minojë besimin publik në proceset demokratike.

Insistimi i partisë për rivotim, pa dëshmi dhe pa bazë ligjore, nuk mund të interpretohet si mbrojtje e votës, por si përpjekje për të relativizuar humbjen dhe për të krijuar konfuzion politik në komunë. Përderisa është e drejta e secilës parti të përdorë mjetet ligjore të ankesës, është po aq e rëndësishme që këto mjete të mos keqpërdoren për të krijuar tensione të panevojshme apo për të ushqyer dyshime të pabazuara”, foli ai për “Bota sot”.

Në fund, thotë se Mitrovica e Jugut ka nevojë për stabilitet dhe respektim të institucioneve, jo për rivotime të pabazuara.

Sipas tij, strategjitë e PDK-së për të kontestuar rezultatin pa prova rrezikojnë krijimin e tensioneve politike dhe delegjitimimin e procesit zgjedhor, ndaj transparenca dhe respektimi i vendimeve të organeve zgjedhore janë thelbësore.

“Mitrovica e Jugut ka nevojë për stabilitet, për qetësi dhe për respektim të institucioneve, jo për tentativa të pafaktuara për t’i hapur rrugë rivotimeve të pajustifikuara. Çdo lëvizje që tenton ta vë në diskutim integritetin e procesit zgjedhor, vetëm sa i dëmton qytetarët dhe e pengon funksionimin normal të komunës.

Siç dihet, LVV dhe koalicioni i ka bërë thirrje PDK-së të respektojë vullnetin e qytetarëve dhe vendimet e institucioneve të pavarura, si dhe të kontribuojë në stabilitetin e komunës, e jo në krijimin e krizave të panevojshme politike.

Refuzimi i pranimit të rezultatit nuk nënkupton domosdoshmërisht synim destabilizimi. Mund të jetë një strategji politike për:

Ruajtjen e elektoratit, duke treguar se partia “po lufton deri në fund”;

Fitimin e kohës, në pritje të një vendimi të mundshëm ndryshe në Gjykatën Supreme;

Mbajtjen gjallë të narrativës se rezultati është i kontestueshëm, duke shmangur efektin psikologjik të humbjes.

Megjithatë, zgjatja e tensioneve, akuzat pa prova dhe delegjitimimi i institucioneve zgjedhore mund të krijojnë klimë të padurueshme politike në komunë dhe të përçojnë mesazh destabilizues në publik. Për këtë arsye, transparenca dhe respektimi i vendimeve të organeve zgjedhore janë thelbësore për të ruajtur stabilitetin politik në Komunë dhe më gjerë” – përfundon ai.

Hamza: Situata në Mitrovicë të Jugut pas rinumërimit të votave është duke u trajtuar përmes mekanizmave të paraparë me ligj

Avokati Zahir Hamza, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se nga këndvështrimi juridik, çdo subjekt politik ka të drejtë të kërkojë rivotim nëse ekzistojnë dyshime për parregullsi që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Sipas Hamzës, insistimi i PDK-së lidhet me disa vota të kontestuara ose të shpallura të pavlefshme gjatë rinumërimit, gjë që ka krijuar shqetësime brenda partisë mbi saktësinë e procesit. Në këtë kontekst, kërkesa për rivotim është një mënyrë për të shfrytëzuar të gjitha mekanizmat institucionalë, më shumë sesa një refuzim i procesit zgjedhor në tërësi.

Qëndrim Juridik mbi situatën pas rinumërimit të votave në Mitrovicë të Jugut

“Pas përfundimit të procesit të rinumërimit të votave dhe vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku është konstatuar se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të dëshmuar pretendimet për parregullsi, pala ankuese ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Supreme.

Ky veprim është i paraparë me Ligjin për Zgjedhjet, i cili lejon kontestimin e çdo vendimi të PZAP-së në shkallën e fundit gjyqësore.

Pse PDK po insiston në rivotim në Mitrovicë të Jugut?

Nga këndvështrimi juridik, çdo subjekt politik ka të drejtë të kërkojë rivotim nëse konsideron se procesi zgjedhor mund të ketë pasur parregullsi që potencialisht ndikojnë në rezultatin përfundimtar.

Insistimi i PDK-së për rivotim duket i lidhur me faktin se, sipas tyre, disa vota janë kontestuar ose shpallur të pavlefshme gjatë rinumërimit, çka ka ndikuar në rezultatin final dhe ka shkaktuar dyshime brenda partisë mbi saktësinë e procesit.

Në këtë kuptim, kërkesa për rivotim përfaqëson më shumë shfrytëzim të të drejtës ligjore për të konsumuar çdo mekanizëm institucional, sesa domosdoshmërisht një refuzim të procesit”- thotë ai.

Tutje, Hazma shpjegon se, juridikisht, manipulimi mund të konstatohet vetëm nëse ka veprime konkrete që shkelin Ligjin për Zgjedhjet ose Kodin Penal.

Ai thotë se deri tani nuk ka prova që tregojnë se kërkesa për rivotim ka për qëllim të ndikojë në rezultat. Ajo mbetet një mjet procedural, jo një tregues i qëllimit për të deformuar votën.

“Në aspektin juridik, një pretendim për manipulim mund të vihet në pah vetëm kur ekziston një veprim konkret që bie ndesh me dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet apo Kodin Penal. Në rastin konkret, deri tani nuk është prezantuar ndonjë provë që do të dëshmonte se kërkesa për rivotim ka për qëllim manipulimin e rezultatit.

Kërkesa për rivotim, ashtu siç është paraqitur, mbetet një mjet procedural, dhe jo një provë e qëllimit për ndërhyrje në rezultat.

Për ta konsideruar të tillë, duhet të ekzistojnë elemente objektive që dëshmojnë tendencë të qëllimshme për deformim të votës – elemente të cilat institucionet kompetente deri më tani nuk i kanë konstatuar”, nënvizon ai.

Kurse, në fund për mospranimin e rezultatit zgjedhor, ai thotë se kjo zakonisht lidhet me dyshimet për parregullsi dhe përdorimin e të drejtave ligjore për ankesa. Kjo nuk nënkupton automatikisht destabilizim.

“Mospranimi i menjëhershëm i rezultateve nga ana e ndonjë partie politike zakonisht lidhet me dyshimet e brendshme për parregullsi dhe me të drejtën për t’i shfrytëzuar procedurat ankimore deri në fund.

Kjo nuk nënkupton automatikisht tendencë destabilizimi.

Nga perspektiva juridike dhe institucionale:

• Kundërshtimi i rezultatit përmes mjeteve ligjore është pjesë e procesit normal zgjedhor, i garantuar për çdo subjekt politik.

• Derisa procesi zhvillohet brenda institucioneve – PZAP, KQZ dhe Gjykata Supreme – nuk mund të flitet për destabilizim, por për ushtrim të të drejtës ligjore

Vetëm veprimet jashtë kornizës institucionale, ose thirrjet për mosnjohje të proceseve kushtetuese, do të mund të konsideroheshin nxitëse për destabilizim. Deri tani nuk ka prova apo veprime të tilla.

Situata në Mitrovicë të Jugut pas rinumërimit të votave është duke u trajtuar përmes mekanizmave të paraparë me ligj.

Insistimi i PDK-së për rivotim është aktualisht një procedurë ankimore, jo një veprim që provon manipuluese apo destabilizuese në vetvete.

Vendimi i Gjykatës Supreme do të jetë instanca e fundit që do të përcaktojë:

• nëse pretendimet për parregullsi kanë bazë,

• nëse procesi duhet të përsëritet,

• apo nëse rezultati i rinumërimit mbetet në fuqi.

Ruajtja e integritetit zgjedhor kërkon transparencë, prova dhe respektim rigoroz të procedurave, pavarësisht kush është pala ankuese”, përfundon ai.