AAK-së i bashkohet Duda Balje në Kuvend- bëhet me Grup Parlamentar

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur të bëhet me Grup Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.Ndonëse i ka vetëm pesë deputetë dhe jo gjashtë sa është minimumi për të formuar një grup të tillë, kjo parti ka arritur megjithatë të formojë grupin parlamentar me ndihmën e deputetes, Duda Balje.

KALLXO.com foli me deputeten Time Kadrijaj e cila është caktuar shefe e GP të AAK-së, për të marr vesh se kush është deputeti i gjashtë i Grupit Parlamentar.Kadrijaj fillimisht konfirmoi se deputeti i gjashtë nuk është Adem Hoxha, teksa më pas konfirmoi se është deputetja boshnjake Duda Balje, ajo që i është bashkuar AAK-së në Kuvend.“Duda Balje është”- tha Kadrijaj shkurtimisht.KALLXO.com tentoi të marrë një konfirmim nga vet Balje, por deputetja nuk ishte e qasshme.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5 ulëse në Kuvendin e Kosovës nga zgjedhjet e datës 09.02.2025.

Si koalicion me NISMA-n Socialdemokrate i morën 7.06% të votave apo 8 ulëse, por tri nga to i takojnë NISMA-s. E AAK dhe NISMA ndanë rrugët pas zgjedhjeve.Balje me SDU-në ka marrë një mandat apo 0.32% të votave.Subjektet tjera politike të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, me përjashtim të Listës Serbe, i kanë caktuar më herët shefat e grupeve parlamentare.

KALLXO.com ka mësuar nga burime brenda Kuvendit të Kosovës, se Lëvizja Vetëvendosje ka caktuar Mimoza Kusari-Lilën si shefe të Grupit Parlamentar.Kusari-Lila ka qenë e propozuar edhe si ministre në Qeverinë “Kurti 3”, propozim i cili nuk u votua më 26.10.2025.Madje, në ditën e mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetari i kësaj partie tha se i vetmi ndryshim në kabinetin qeveritar do jetë mes tij e Konjufcës- pra Kurti të bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme e Konjufca Kryeministër.

“Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar. Unë marr vendin e Glaukut, e Glauku timin, ashtu qysh jemi dakorduar mbrëmë”- tha Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së më 04.11.2025.Kjo i bie që edhe në propozimin e kabinetit qeveritar “Konjufca 1”, Kusari-Lila do jetë e propozuar si ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane.

Vet Kusari-Lila konfirmoi për KALLXO.com se ajo do jetë shefe e Grupit “deri në një rrethanë tjetër”.“Kjo funksionon njësoj si në secilin rast tjetër kur merr post ekzekutiv- kalon andej dhe zgjedhet dikush tjetër. Ka qenë çështje e obligimeve të Rregullores së Kuvendit, në të cilën është dashtë Grupi Parlamentar me e prezantu strukturën e grupit, gjegjësisht udhëheqësin e grupit”- ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, ajo do të qëndroi si shefe deri në ndonjë ndërrim, kjo më shumë për shkak të komunikimit dhe koordinimit me grupin.“Për shkak që mos me hy në proces të zgjedhjes së dikujt të ri që duhet ende me u mësu me procedurën, më kanë kërku që me e marrë këtë detyrë deri në momentin kur ka një rrethanë tjetër”- shtoi ajo.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrin e Abelard Tahirit për shef të Grupit Parlamentar, Lidhje Demokratike të Hykmete Bajramit për shefe kurse të Armend Zemajt për zëvendësshef të Grupit.Nga Grupi Multietnik, shef i Grupit Parlamentar është caktuar Elbert Krasniqi i cili në Qeverinë “Kurti 2” ka mbajtur pozitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, kurse zëvendësshef i tij është Albert Kinolli.Caktimin e Krasniqit si shef të Grupit Parlamentar, për KALLXO.com e ka konfirmuar deputeti Fikrim Damka.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, Lista Serbe nuk ka propozuar askënd për shef të Grupit Parlamentar.Kujtojmë që kjo parti ka dorëzuar kërkesë në Gjykatë Kushtetuese sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, kurse Gjykata ende nuk ka dalur me aktgjykim.Më 04.11.2025, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mandatoi Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit.Në po të njëjtën ditë, presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht mandatoi atë, dhe menjëherë ka filluar afati 15 ditësh i Konjufcës për të formuar Qeverinë e re.

Pas mandatimit nga LVV, Konjufca u shpreh se nuk synon koalicione dhe qeveri afatgjate.Propozimi i LVV-së për Qeveri të udhëhequr nga Konjufca u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate, të cilat kërkojnë zgjedhje e jo zvarritje të procesit, siç po e quajnë ata propozimin e LVV-së.Kosova tashmë po i bën nëntë muaj pa institucione të reja, pra që nga zgjedhjet e 09.02.2025.Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.