Christopher Hill, ish i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po dëshmon në Gjykatën Speciale në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së.
Për herë të parë, për Kosovën tha se u angazhua në maj të vitit 1998. Këtë tha se ia kërkoi Sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Medeleine Albright.
“Që në fillim fare, unë jam përpjekur që me kolegët dhe Departamentin amerikan të Shtetit të ndërtonim një plan autonomie, në mënyrë që rikthehej autonomia e Kosovës dhe që Kosova të kishte qeverisjen e saj”, tha ai.
Në palën serbe, ai tha se fliste me Sllobodan Millosheviqin, ndërsa në Kosovë tha se ishte “sfidë e madhe” të gjenin vetëm një person.
“Kjo në atë kohë ka qenë një sfidë e madhe. Në disa momente ishte e vështirë që të gjenim njerëzit që të flisnin me autoritet. Problemi nuk ishte të gjendej dikush që kishte një mendim, por që kishte autoritet”, tha ai.
“Një prej tyre ishte Ibrahim Rugova. Ai ishte udhëheqës, edhe pse ishte një pozitë joformale”, tha Hill.
Ai u pyet dhe kujtoi takimin ndërmjet Rugovës dhe Millosheviqit. Kjo, Rugovës tha se iu kërkua nga i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin, Richard Holbrooke.
“Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë. Shkova me të edhe unë. Ne u ulëm me presidentin Rugova dhe, edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke mendoi që do të ishte ide e mirë nëse Rugova do të takohej me Millosheviqin në Beograd, sepse shpresonte që ky takim mund dhe do të zgjidhte shumë probleme. Unë duhet të them që isha shumë më skeptik”, tha ai.
Kjo, tha Hill “e dëmtoi presidentin Rugova”.
“Njerëzit nuk mendonin se takimi me Millosheviqin do të ndihmonte. Edhe unë kisha rezerva”, tha ai.
Hill tha se Rugova “ishte hsumë i shqetësuar për faktin se a ishte ide e mirë kjo apo jo, por nuk donte të gjendej në situatën kur refuzonte një sugjerim të tillë që vinte nga Holbrooke”.
Diplomati amerikan tha se në atë kohë “Kosova ishte çështje parësore”.
“Në qoftë se, për shembull, Sekretarja ka pritur në vizitë një ministër të Jashtëm të ndonjë vendi europian, shansat ishin të mëdha që një nga pikat që do të diskutoheshin ishte Kosova”, tha ai.