Abdixhiku reagon ndaj VV-së: Shfaqje teatrale, pa numra – presidentja duhet ta respektojë vullnetin e shumicës shqiptare

Abdixhiku reagon ndaj VV-së: Shfaqje teatrale, pa numra – presidentja duhet ta respektojë vullnetin e shumicës shqiptare.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas mbledhjes së VV-së ku pritet të caktohet emri tjetër për mandatar.

Abdixhiku ka thënë se kjo është shfaqje teatrale.

Postimi:

Kjo shfaqje teatrale, e mandatarëve pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik, duhet të marrë fund. Republika nuk është material loje për llogaritje të vogla elektorale. Republika mbetet më e madhe se secili prej nesh.

Trajtojeni si të tillë.

Bëhuni të vërtetë!

Shiqoni qytetarët në sy e tregojuni se nuk ka shumicë. Tregojuni qytetarëve se secila parti shqiptare, ka dhënë verdiktin politik, të deponuar tashmë në Presidencë. Ky verdikt është i qartë e është i thejshtë. Sot, matematikisht, me vullnetin e deklaruar politik, nuk ka mundësi për shumicë.

Pse gjithë ky zell për lojëra pa dinjitet minimal politik? A nuk ju duken mjaft 8 muaj vonesë në shtetin më të varfër në kontinent për t’i dhënë vonesa shtesë. A është qëndrimi me çdo kusht në pushtet edhe pa legjitimitet vlerë e re politike e një gjenerate që duhet të sjellë shpresë?

Këto zvarritje janë veç thellime të krizave, për të cilat do të mbahet përgjegjësi politike.

Dua të besoj se Presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare. Ky vullnet i është deponuar Presidentes javën që shkoj, haptazi dhe qartë. Dua të besoj, se Presidentja do të deklarojë gjënë më të thjeshtë e më logjike sot: fatkeqësisht, në këtë Kuvend, nuk ka shumicë parlamentare dhe asnjë mbledhje e asnjë partie nuk ndryshon këtë fakt politik.