Një raport i publikuar nga New Diplomacy Project në Londër, me titull “Restoring British Leadership in the Ëestern Balkans”, vuri në pah bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë në nxitjen e destabilitetit në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
E në lidhje me këtë raport, ka folur për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Si fillim ai u shpreh se ky është një sinja shqetësues, si në rrafshin politik, ashtu edhe të sigurisë.
Ai përmendi edhe synimet e Rusisë që përmes Serbisë të mbajë Ballkanin e destabilizuar, në këtë pikë përmendi edhe projektin e “Ballkanit të Hapur”, e që tha se ky ishte një propagandë dhe plan kundër Kosovës.
“Raporti i “New Diplomacy Project” ngre një shqetësim te real per lidhjet e ngushta strategjike dhe operative midis Beogradit dhe Moskës.
Bashkëpunim nuk është vetëm ne rrafshin politik, por ka elementë të theksuar sigurie dhe ndikimi hibrid. Pas agresionit në Ukrainë, Rusia kërkon të ruajë influencat e saj në hapësirën Ballkanike nëpërmjet Serbisë, duke përdorur Kosovën si ambient hibrid, duke kërkuar të minoj zgjerimin e EU në Ballkanin Perëndimor. Kjo ishte dhe linja e ndjekur nga Vuçiq.
Përmes propagandës, dezinformimit dhe mbështetjes së strukturave paralele në veri të Kosovës, synojnë të ruajnë ndikimin rus dhe serb në zonën me shumicë serbe dhe projekti Ballkani i Hapur që kanë investura çdo aktivitet brenda dhe jashtë Serbisë deri edhe tek gazetarë apo media për influencë.
Serbia, kërkon integrim në BE, si fasadë, ajo ndërkohë nuk ka ndërprerë lidhjet ushtarake dhe të inteligjencës me Rusinë, Kinen, e kjo përbën një rrezik real dhe potencial për sigurinë rajonale”.
Krahas kësaj, Softa komentoi nevojën për reagim ndërkombëtar ndaj planeve dhe projekteve serbo-ruse, ku tha se, BE dhe SHBA duhet ta ndëshkojnë Serbinë dhe të marrin masa konkrete, jo vetëm të bëjnë deklarata.
Sipas tij, duhet të kërkohet ndalimi i retorikës nxitëse ndaj Kosovës.
“Po, mendoj në analizë time që duhet të merren masa të ndjeshme ndaj Serbisë, jo vetëm deklarata që nuk e ndryshojnë qasjen dhe ndikimin gjithnjë në rritje të Rusisë dhe Kinës.
BE dhe SHBA, krahas deklaratave duhen dhe kushtëzime të qarta politiko-ekonomike për çdo përfitim që Serbia ka nga marrë dhe merr nga proceset e integrimit.
Më shumë transparencë dhe kontroll mbi bashkëpunimin ushtarak me Rusinë sa real është, deri ku ka vajtur, nëse ka marrëveshje të fshehta dhe sa ndikim kanë mediat ruse në territorin serb.
Duhet të kërkohet demilitarizim dhe ndalim i retorikës nxitëse që shfaqet nga qarqet politike, ambientet sportive, nxitja e frymës destabilizuese ndaj Kosovës, sepse çdo tension në veri përdoret si forma dhe mjete presioni ndaj EU”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, shtoi se Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ndalojnë tentativat destabilizuese nga Serbia dhe Rusia.
Madje, eksperti potencoi se, NATO dhe KFOR-i duhet të forcojnë praninë në veri të Kosovës, si dhe të vendosin ‘vija të kuqe’ ndaj shtetit serb.
“Kosova duhet të mbështetet me mjetet e sigurisë dhe të komunikimit strategjik, për të ekspozuar këto tentativa destabilizuese.
NATO dhe KFOR-i duhet të forcojnë praninë në veri dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim që mund të vijë nga grupet e paramilitare serbe, rasti Banjskës është modeli i qellimeve të qarta të Vuçiq.
Raporti i “New Diplomacy Project” është një sinjal alarmi që kërkon reagim politik, diplomatik dhe informativ nga perëndimi.
Nëse EU dhe SHBA nuk vendosin “vija të kuqe” ndaj Serbisë, rreziku është që Ballkani të kthehet persëri në nje zonë interesash për ndikimin rus, duke minuar paqen dhe integrimin rajonal”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.