“Ndërmarrje kriminale” – Peci sulmon mediat, kundërshtrët politik e kompanitë e sondazheve

Kandidati për kryetar të Mitrovicës, nga Lëvizja Vetëvendosje Faton Peci, ka quajtur TV Dukagjinin si “qendra operative e ndërmarrjes kriminale”, ku sipas tij ka bashkëpunuar me Partinë Demokratike të Kosovës, kundër tij, gjatë garës së raundit të parë të zgjedhjeve lokale.

“Exit pollet që ky televizon kishte kontraktuar e sponsorizuar, nuk u përdorën për të matur vullnetin qytetar, por për ta ndërtuar një narrativë të rreme për rezultatin, për ta dekurajuar votuesin tim dhe para se të kuptohej e vërteta e këtij krimi, për t’i dekurajuar komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve në Mitrovicë”, shkruan Peci.

Tutje, ai e sheh Bedri Hamzën si organizator i këtij “operacioni” dhe e cilëson si “politikanin më përçarës në trojet shqiptare”.

“Më 12 tetor ishte finalja e krejt këtij organizimi kriminal, që tash po e kuptoj edhe nga informatat nga tereni se udhëhiqej nga Bedri Hamza. Politikani qe fshihet pas gezofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me percares ne trojet shqiptare, i cili eshte i gatshem te fute edhe percarje ndershqiptare e nderfetare per nje grusht vota”, ka shkruar Peci.

Ai ka përmendur edhe një incident ku, sipas tij, pronari i UBO Consulting ka kontaktuar stafin e tij në mesditë, duke e cilësuar këtë si pjesë të “inxhinieringut politik dhe mediatik”.

“Në mesditën e 12 tetorit, pronari i UBO ka thirrë stafin tim dhe është përpjekur t’i bind se gjithçka kishte marrë fund – paramendo: në mesditë – dhe se ne kishim pësuar disfatë, duke shfaqur kështu botërisht dhe pa turp innxhinieringun e tyre për krimin e exit poll-eve në Mitrovicë”, shkruan tutje ai

Peci pretendon se fushata kundër tij ka qenë e orkestruar për më shumë se një vit, duke përfshirë linçim publik, fyerje dhe portretizim të tij si figurë përçarëse, përfshirë edhe akuza për nxitje të ndasive ndërfetare.

Postimi i tij i plotë:

Si funksionoi skema kriminale e PDK-se ne bashkepunim me disa “medie”, që kulmoi me exit pollet dhe TV Dukagjinin si qendra operative e ndermarrjes kriminale?

Pas me shume se nje viti dhe mandej nje muaji fushate të organizuar, të ngjeshur, të orkestruar e të sofistikuar linçimi, njollosjeje, fyerjeje e sulmi kundër meje si figurë publike e politike, por si individ e si person dhe ku ishte përdorur edhe portretizimi im si ushqyes i ndasive e urrejtjes ndërtfetare – një gjë që secili nën këtë qiell e din se nuk mund të më mvishet – më 12 tetor ishte finalja e krejt këtij organizimi kriminal, që tash po e kuptoj edhe nga informatat nga tereni se udhëhiqej nga Bedri Hamza. Politikani qe fshihet pas gezofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me percares ne trojet shqiptare, i cili eshte i gatshem te fute edhe percarje ndershqiptare e nderfetare per nje grusht vota.

Gjatë 12 tetorit 2025, TV Dukagjini ishte njëra nga qendrat operative të këtij aranzhimi propagandistik. Duke mos harruar partnerin si-moter Baton Haxhiun.

Exit pollet që ky televizon kishte kontraktuar e sponsorizuar, nuk u përdorën për të matur vullnetin qytetar, por për ta ndërtuar një narrativë të rreme për rezultatin, për ta dekurajuar votuesin tim dhe para se të kuptohej e vërteta e këtij krimi, për t’i dekurajuar komisionerët e vëzhguesit e zgjedhjeve në Mitrovicë.

Dëshmitarët e dorën së parë po na tregojnë se kur u deklaronin atyre që bënin exit poll-et, se kishin votuar për Faton Pecin, anketuesit u përgjigjeshin se “ka problem me sistemin” dhe vota e tyre shpërfillej me porosinë e kriminelëve që ishin paguar ta krijojnë gënjeshtrën e madhe.

Në mesditën e 12 tetorit, pronari i UBO ka thirrë stafin tim dhe është përpjekur t’i bind se gjithçka kishte marrë fund – paramendo: në mesditë – dhe se ne kishim pësuar disfatë, duke shfaqur kështu botërisht dhe pa turp innxhinieringun e tyre për krimin e exit poll-eve në Mitrovicë.

Gjatë tërë ditës së zgjedhjeve, analistë të dreqit e të paguar kanë publikuar postime duke e paraqitur garen e perfunduar me rezultat te thelle duke thyer rregullat zgjedhore dhe kanë ndikuar tepër negativisht në frymën e votimit dhe kanë vënë shtyllat e narracionit kriminal të exit poll-eve që ishin parapërgatitur.

Ndërkohë, rezultatet e këtyre exit polleve u publikuan me bujë të madhe në TV Dukagjini, të shoqëruara me komente fyese, tallëse dhe tendencioze nga analistët pas publikimit të rezultateve të inxhinieringut kriminal.

Ky proces nuk ishte thjesht raportim mediatik, por një skemë e përgatitur për të ndikuar opinionin publik dhe për të krijuar përshtypjen e një fitoreje të paracaktuar, shumë përpara numërimit real të votave.

Po ashtu, gjatë tërë ditës në mënyrë të vazhdueshme e të organizuar, qytetarët e Mitrovicës, e mes tyre edhe pjesëtarët e ekipit tim zgjedhor janë kontaktuar me thirrje anonime, me fshehje të numrit dhe janë dekuraju, dezinformu, janë gënjyer e janë çorientuar, me t’vetmin qëllim: që të krijojnë terren të plleshëm për exit poll-et kriminale të Mitrovicës me mundesine qe edhe ndonjeri komisioner nga deshperimi te largohet nga qendra e votimit. Thirrje pa numër kishin edhe komisionerët e vëzhguesit dhe stafi i Vetëvendosjes në zyren e partisë.

Mirepo perkunder gjithe ketij terrori, Mitrovica nuk u thye.