Të hënën është takuar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Edhe pse Abdixhiu dhe Limaj nuk kanë dhënë detaje për qëllimin e këtij takimi, në opinionin publik është përfolur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
Zyrtari i Guxo, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota Sot”, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke shprehur se bashkimi i partive nuk është gjithmonë shenjë force; shpeshherë ai reflekton frikë dhe panik.
ImageZyrtari i Guxo, Agim RexhepiFoto galeri
Sipas tij, aleancat parazgjedhore tregojnë mungesë ideje, kontakt me qytetarët dhe besim për të garuar vetë, qoftë mes LDK-Nisma, PDK-AAK apo të tjera.
“Në politikë, bashkimi nuk është gjithmonë shenjë force; ndonjëherë është shenjë frike. Kur partitë që për vite me radhë kanë humbur besimin e qytetarëve detyrohen të bashkohen për të mbijetuar, kjo tregon jo vizion, por panik. Opozita kërkon oksigjen politik përmes aleancave të improvizuara, sepse nuk ka më kontakt me popullin, nuk ka ide, dhe as besim për të garuar vetë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Rexhepi ka deklaruar se opozita e vjetër e di se nuk mund të fitojë me ide dhe përpiqet të mbijetojë me pazare.
“Po, është një shenjë e qartë frike. Përballë një lidershipi që gëzon besimin e shumicës dhe që ka qëndruar i pathyeshëm ndaj presioneve, opozita e vjetër e di se nuk mund të fitojë me ide dhe përpiqet të mbijetojë me pazare. Kur partitë bashkohen jo për të ndryshuar Kosovën, por për të shpëtuar vetveten, populli e dallon menjëherë kush vepron nga frika dhe kush nga bindja”, ka theksuar ai.
Në fund, Rexhepi ka shtuar se bashkimi i dy blloqeve opozitare nuk do të ndryshonte shumë dinamiken e fushatës, pasi që qytetarët zgjedhin sipas ndershmërisë dhe rezultateve.
“Nuk do të ndryshonte shumë. Sot qytetari nuk zgjedh më sipas emrave të partive, por sipas ndershmërisë dhe rezultateve. Dy blloqe opozitare mund të krijojnë zhurmë, por jo besim. Fushata do të tregonte qartë kontrastin mes një vizioni të ri që flet me gjuhën e popullit dhe një politike të vjetër që flet vetëm për interesa. Në fund, zgjedhjet nuk do të jenë përballje e partive, por përballje e së resë që ndërton me të vjetrën që mbron vetveten”, ka përfunduar Rexhepi.