Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar ofertën e minutave të fundit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia ka bërë të dielën në këmbim të votave të partisë së tij për Qeverinë e re.
Limaj tha se atë ditë, kur ishte caktuar seanca për votimin e Qeverisë, kishte zhvilluar një takim dhjetëminutësh me Kurtin, ku ky i fundit i kishte shprehur gatishmërinë për ta larguar Dimal Bashën nga pozita e kryetarit të Kuvendit dhe për ta emëruar në një ministri.
“Kishim një takim të shkurtër, rreth 10 minuta. Kryeministri më tha se është i gatshëm ta largojë Dimal Bashën nga kryetari i Kuvendit dhe ta zhvendosë në një ministri”, ka treguar Limaj në emisionin “Rubikon”.
Ai shtoi se që nga zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, nuk ka pasur asnjë komunikim me Kurtin dhe se takimi i fundit ka ndodhur vetëm të dielën në ambientet e Kuvendit.
Megjithatë, Limaj theksoi se nuk e ka pranuar ofertën, duke thënë se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur: “Dimal Basha nuk duhet të jetë në asnjë pozitë pas shkrimit të tij për UÇK-në.”