Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë për të investuar, duke zënë vendin e 26-të nga gjithsej 226 shtete, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve, të publikuar nga organizata prestigjioze Henley & Partners.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke theksuar se ky është një tregues tjetër i përparimit ekonomik dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.
“Jemi të parët në rajon në këtë indeks, si dhe shumë pozicione përpara disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky rankim i Kosovës është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe fuqizimit të sundimit të ligjit dhe sigurisë,” ka shkruar Kurti.
Sipas tij, ky vlerësim i lartë për Kosovën vjen vetëm disa muaj pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e hoqi vendin nga lista e “Shteteve në Situata të Brishta dhe Konflikti”, si dhe pak ditë pasi i njëjti institucion vlerësoi se Kosova do të ketë edhe për këtë vit rritjen më të lartë ekonomike në rajon.
“Përkundër krizave globale dhe sfidave të shumta nga faktorë të jashtëm, shteti ynë vazhdon të forcohet, të ofrojë kushte më të mira për zhvillim socio-ekonomik dhe investime të sigurta,” ka theksuar më tej Kurti.
Ky rezultat e pozicionon Kosovën si lider rajonal në aspektin e sigurisë për investime, duke reflektuar stabilitetin e saj politik, financiar dhe institucional, që sipas ekspertëve ekonomikë, është kyç për tërheqjen e kapitalit të huaj dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm.