Janë bërë dy vjet që nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup terrorist i prirë nga ish- politikani Milan Radoiçiq ka sulmuar Policinë e Kosovës dhe përkundër që mori përgjegjësinë për sulmin, Radojçiq ende është i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd.
Sulmi ishte dënuar nga krerët e shtetit dhe ndërkombëtarët dhe ai vazhdon të dënohet dhe të kërkohet dorëzimi i kriminelit Milan Radojçiq.
Të martën, përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, Jennifer MacNaughtan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në një fjalim rasti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku po shqyrtohej për raporti gjashtëmujor për Kosovën, ka bërë thirrje Serbisë të dorëzojë Radoiçiqin.
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për incidentet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, theksoi ajo.
Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka folur për “Bota sot”, rreth kësaj çështjeje, duke thënë se Britania solli në vëmendje disa narrativa.
“Të martën u mbajt sërishmi diskutimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. U shqyrtua si zakonisht raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për situatën në Kosovë. Ashtu si heret e tjera SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca kërkuan që t’i jepet fund pranisë së UNMIKU-t në Kosovë, përkatësisht në veriun e saj. Por Rusia dhe Kina e kundërshtojnë këtë kërkesë. Për pasojë UNMIK vazhdon të monitorojë situatën në veri të vendit, bazuar kryesisht në interesat dhe narracionin e Serbisë. Në diskutimet e tri vendeve pro-Kosovës në këtë diskutim pati në fakt diferenca. Përfaqësuesi amerikan shfaqi shqetësimin që të “mos ndërmerren akte të njëanshme, që tensionojnë situatën. Ishte kjo një tërheqje vëmendjeje për masat e qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin e shtetit në veri të vendit. Megjithatë kjo vërejtje e përfaqësuesit amerikan, mendoj se duhet parë me racionalitet. Që do të thotë se qeveria duhet të vazhdojë të punojë për të shtrirë autoritetin e saj në të gjithë territorin, por ndoshta ka mundësi që edhe me faktorin amerikan dhe europian të bashkëpunojë me ngusht”.
“Gjithësesi qëndrimet e përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Jennifer MacNaughtan, u tregua në këtë diskutim shumë më afër dhe më miqësor sesa përfaqësuesit e vendeve të tjera me Kosovën. Britania solli në vëmendje disa narrativa. Së pari, se Kosova konsiderohet një vend i sigurt dhe si e tillë nuk ka nevojë të monitorohet nga UNMIK. Së dyti, se në Banjskë pati para dy vitesh një akt kriminal terrorizmi dhe autorët e tij duhet të përgjigjen para drejtësisë. Së treti, lidhet me thirrjen që Londra i bëri shteteve të ndryshme për ta njohur shtetin e Kosovës. Kjo e fundit nuk u theksua nga asnjë prej përfaqësuesve të tjerë të vendeve anëtare të Përhershme ose të përkohshme të Këshillit të Sigurimit”, deklaron profesori.
Ai thotë se diskutimi i përfaqësuesit britanik duhet konsideruar si presion ndaj qeverisë dhe presidentit të Serbisë.
“Kërkesa më e rëndësishme e britanikut Jennifer MacNaughtan ishte ajo që të bëjë me dënimin e vazhdueshëm të aktit terrorist në Banjskë dhe dënimin e autorëve të tij, përfshirë kreun e këtij terrori, ish-nënkryetarin e Listës Srpska dhe mikun e ngushtë të presidentit të Serbisë. Milan Radoiçiq. Që nga 23 shtatori i vitit 2023 Radoiçiq i akutuar për terrorizëm ndodhet i lirë në Beograd. Në këto kushte diskutimi i përfaqësuesit britanik duhet konsideruar si presion ndaj qeverisë dhe presidentit të Serbisë, të cilët mbështesin terrorizmin dhe provokimin ushtarak kundër vendeve fqinjë, në rasin konkret kundër Kosovës. Ky presion nga Londra është një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë të Ballkanit Perendimor, sepse paralajmëron Serbinë për të mos ndërmarrë në të ardhmen akte të tilla si ai i Banjskës në Kosovë. Është për t’u theksuar se gjithashtu në Londër kryeministri i Britanisë së Madhe, Kei Starmer, njoftoi se legjislativi dhe qeveria e tij do të zgjasin mandatin e forcës britanike në KFOR-in e Kosovës deri në vitin 1928, pra edhe për tri vite të tjera. Po ashtu një komunikatë e ministrisë së Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ve theksin te kontributi i KFOR-it britanik për paqen dhe stabilitetin e Kosoës e të vendeve në rajon. Kjo do të thotë se Londra është e vendosur për të mbrojtur atë që është arritur në formimin dhe konsolidimin e shtetësisë në Kosovë dhe se qeveria britanike i përmbahet me vendosmëri parimit të mosndryshimit të kufijve në rajon”, shprehet Bytyçi.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Ai e konsideron Britaninë e Madhe partner dhe aleat më të mirë dhe më të sigurt të Kosovës në Evropë, gjersa shton se diplomacia në Kosovë duhet të lexojë me nota optimizmi këtë qëndrim të qeverisë, politikë dhe diplomacisë britanike.
“Duket qartë se ka një lidhje të ngushtë midis deklarimeve të përfaqësuesve të qeverisë ditën e djeshme në Londër dhe diskutimit të përfaqësuesit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo lidhje bazohet në të njëjtin motiv dhe të njëjtat politika: – Ruajtjen e stabilitetit e të sigurisë, si dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës. Këtyre dy qëllimeve që Britania e Madhe i deklaron më shumë se vendet e tjera europiane, i shërben edhe thirrja që përfaqësuesi britanik në OKB bëri për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shteteve mos-njohëse deri më sot. Nuk e bëri këtë as SHBA-ja, as Franca, gjë që na jep mesazhin se Britania e Madhe është aktualisht partneri dhe aleati më i mirë dhe më i sigurt i shtetit të Kosovës në Europë, krahas Turqisë. Diplomacia e Kosovës duhet ta lexojë me nota optimizmi këtë qëndrim të qeverisë, politikës dhe diplomacisë britanike. Kryesore është se duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të kërkuar bashkëpunim aktiv për shtimin e njohjeve. Britania ka qenë perandori kolonish dhe ka një influencë të jashtëzakonshme te shumë shtete të rëndësishme e të mëdha, me të cilat mban lidhje të ngushta e miqësore. Koordinimi i diplomacisë së Kosovës me atë britanike për të vepruar me koordinim në këtë drejtim, është detyrë dhe obligim i patjetërsueshëm. Kësisoj duhet që kjo të shërbejë edhe për motivim pozitv e bashkëpunim në krijimin e qeverisë dhe institucioneve të qëndrueshme. Në përgjithësi mbledhja e fundit e KS të OKB-së e mbajtur të martën e shkuar ka qenë më pozitive sesa mbledhjet e shkuara. Më pak e tensionuar dhe më pak qortuese, siç ishte bërë zakon për të bërë presion “mbi të dy palët”! Këtë situatë e ka favorizuar gjithashtu situata drametike në Serbi dhe sidomos në Beograd, ku presidenti Vuçiq ka ngritur çadrat për të strehuar militantët në krah të tij kundër protezuesve studentë e të rinj të Serbisë”, përfundon profesori.